Rezultatet preliminare thonë se Putini i fitoi gati 88% të votave, pasi opozita u shtyp

6 Min. Leximi

Rusia i ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale në të cilat opozita u shtyp, duke thënë se lideri autoritar Vladimir Putin i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Putini do ta zgjasë sundimin gati një çerekshekull për edhe gjashtë vjet të tjera, pas një lufte të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve dhe mospajtuesve.

- Advertisement -

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë tha se, sipas rezultateve preliminare, Putini i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Sipas exit poll-it FOM, Putini i ka fituar 87.8 për qind të votave, ndërsa sipas Qendrës Hulumtuese Publike të Rusisë (VCIOM), Putini i ka fituar 87 për qind të votave.

Votimi më 17 mars, në ditën e fundit të zgjedhjeve treditore, u mbajt praktikisht pa asnjë kundërshtarë për Putinin, por nën sulme raketore dhe me dronë nga Ukraina.

Qytetarë të shumtë rusë u rreshtuan pranë qendrave të votimit nëpër gjithë Rusinë në kohë për aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

- Advertisement -

Një numër i madh i rusëve, të cilët nuk duan që Putini të vazhdojë të jetë në pushtet, shkuan te qendrat e votimit në të njëjtën kohë në mesditë, disa prej të cilëve edhe ndërmorën hapa për t’i prishur fletëvotimet e tyre.

Dhjetëra njerëz janë arrestuar në gjithë vendin gjatë votimit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Rusia pretendoi se Ukraina, të cilën e akuzoi se kreu një valë sulmesh ajrore që arritën deri në Moskë, u përpoq ta pengojë procesin zgjedhor.

Lufta e pamëshirshme e Kremlinit, që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Para se të vdiste në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta, ku po e kryente një dënim që cilësohej si i motivuar politikisht, lideri opozita Alexei Navalny kishte shpresuar se do t’i përdorte zgjedhjet për ta dëshmuar pakënaqësinë e popullit me luftën në Ukrainë dhe me sundimin e hekurt të Putinit.

Ai u kishte bërë thirrje votuesve ta hidhnin votën saktësisht në mesditë, duke e quajtur aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, si dhe të tjerët, i kanë vazhduar thirrjet për protesta të ditën e zgjedhjeve.

Në video dhe fotografi të postuara në rrjetet sociale shiheshin radhë të gjata votuesish në mesditë në qytetet ruse si, Novosibirsk, Çita, Jekaterinburg, Perm dhe Moskë.

“Aksioni i ka arritur qëllimet e tij,” tha Ivan Zhdanov, kreu i Fondacionit Kundër Korrupsionit, i cili dikur udhëhiqej nga Navalny.

“Aksioni ka treguar se ekziston edhe një Rusi tjetër, se ka njerëz që ngrihen kundër Putinit”, tha ai.

Protestat u shoqëruan nga një prani e madhe e policisë dhe nga kërcënimi me dënime të rënda me burg për ata të cilët shihen si pengues të procesit të votimit.

Grupi OVD-Info, i cili monitoron arrestimet politike në Rusi, tha se më 17 mars u arrestuan më shumë se 65 njerëz në 14 qytete në gjithë Rusinë.

Për ditën e fundit të zgjedhjeve, autoritetet ruse u përgatitën për protesta të pazakonta në mesditë në qendrat e votimit, dhe paralajmëruan se ata që e pengojnë procesin e votimit do të përballen me dënime të rënda me burg.

Më herët, Zyra e prokurorit të Moskës kërcënoi me ndjekje penale të gjithë ata që shihen duke ndërhyrë në punën e komisioneve zgjedhore në qendrat e votimit në mesditë.

Gjatë dy ditëve të para të votimit, disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

Është raportuar për 28 incidente të tilla, si edhe për të arrestuar.

Incidente të tilla janë raportuar në së paku nëntë qytete, përfshirë Moskën, Shën Petersburgun, Soçin dhe Volgogradin.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, i dënoi protestuesit të shtunën duke i quajtur “tradhtarë” që po e ndihmojnë armikun e vendit, posaçërisht Ukrainën.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme./REL

TOP Lajmet

ETIKETUAR: , ,
Ndani këtë artikull