Rama: SHBA nis dialog me Serbinë, ndërsa Kosova në izolim strategjik

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se Uashingtoni ka nisur dialog strategjik me Serbinë, ndërsa dialogu strategjik me Kosovën mbetet i pezulluar.

Sipas Ramës, dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë përfshin fusha si energjia, siguria energjetike, investimet në infrastrukturë, zhvillimi i rrjetit 5G, bashkëpunimi në mbrojtje dhe industrinë ushtarake, si dhe arsimi, shkenca, teknologjia dhe projekte të përbashkëta afatgjata.

Ai theksoi se, në të njëjtën kohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se dialogu strategjik me Kosovën mbetet i pezulluar, ndërsa kujtoi edhe deklaratat e ish-ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, i cili kishte paralajmëruar se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar goditje dhe se qeveria e ardhshme duhet t’u përgjigjet prioriteteve amerikane, përfshirë projektet për diversifikimin energjetik.

 

Rama i cilësoi këto zhvillime si shqetësuese për të ardhmen e Kosovës dhe kërkoi nga kryeministri që të japë sqarime publike për gjendjen e marrëdhënieve me SHBA-në.

Ai ngriti pyetjen se si është arritur në situatën ku partneriteti strategjik me aleatin kryesor të Kosovës është pezulluar dhe besimi është vënë në pikëpyetje, duke e cilësuar këtë si nivelin më të ulët që kanë njohur ndonjëherë raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull