Kasami: BDI të jetë më pragmatike, ta përkrahë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe Provimin e jurisprudencës

2 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami i ka bërë thirrje BDI-së që të jetë më pragmatike dhe të përkrahë Ligjin për përfaqësim të drejtë, si dhe Ligjin për Provimin e jurisprudencës.

Kasami në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M tha se çështjet që nuk janë zgjidhur për vite me radhë, tashmë po marrin zgjidhje, duke kërkuar nga BDI-ja që të mbështesë këto iniciativa ligjore.

“Duhet të jenë falënderues, pasi për 20 vite nuk arritën të gjejnë zgjidhje, ndërsa ne e bëmë Ligjin për përfaqësim të drejtë. Ata duhet të sillen ashtu siç jemi sjellë ne dhe ta përkrahin këtë zgjidhje”, deklaroi Kasami.

Ai kritikoi qasjen e BDI-së ndaj çështjes së të drejtave të shqiptarëve, duke thënë se kjo parti i ka trajtuar ato kryesisht në dimensionin individual.
Kasami theksoi se VLEN synon të ofrojë zgjidhje ligjore që do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe që do të marrin vlerësime pozitive nga Komisioni i Venecias.

“Ne dëshirojmë të ofrojmë zgjidhje, ligje që nuk do të jenë antikushtetuese dhe për të cilat do të marrim vlerësime pozitive nga Komisioni i Venecias”, u shpreh ai.

Sipas Kasamit, qëllimi është të shmangen paqartësitë dhe situatat që, siç tha ai, kanë qenë të pranishme në të kaluarën.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull