Përkundër kaosit me autobusë dhe pamundësisë që kryetarja e Shkupit Danella Arsovska të blejë 250 autobusë të rinj, kryeministri Hristijan Mickoski konsideron se nuk është zgjidhje që Qeveria të marrë përgjegjësi dhe tash të fillojë procedura për blerjen e autobusëve nga buxheti, e cila do të përfundojë vitin e ardhshëm. Sipas Mickoskit, zgjidhje mund të gjendet vetëm me funksionimin e përkushtuar të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik.
“Jemi në dispozicion për të dëgjuar një plan, për ta mbështetur atë plan, por nëse plani është që të votohet një kredi për të marrë autobusët që do të vijnë vitin e ardhshëm, kjo nuk e zgjidh problemin që kanë sot shkupjanët. Problemi zgjidhet me mobilizim në kuadër të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik, me shpenzim real dhe të qëllimshëm të mjeteve të mbledhura nga arka e qytetit që shkupjanët ia japin si subvencion Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik Shkup”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Në premtimet parazgjedhore për zgjedhjet lokale, Mickoski së bashku me Arsovskën premtuan se do të blejnë 250 autobusë. Tani ai thotë se problemet me qarkullimin e autobusëve nuk mund t’i zgjidhë qeveria vetëm në Shkup, sepse ka nevojë edhe në qytetet tjera.
“Ne kemi ofruar edhe kur ishim në koalicion me kandidaten e pavarur zonjën Arsovska, kemi ofruar një zgjidhje, madje edhe një kompani që do të hapte fabrikë, autobusë elektrikë e kështu me radhë, por kjo mbeti iniciativë e vetëm njërës pale. Fatkeqësisht nuk kemi pasur bashkëbisedues dhe partner në palën tjetër që e gjithë kjo të vazhdojë. Përndryshe, po, është e vërtetë që ne mendojmë si qeveri, por po mendojmë për të gjitha komunat në të gjithë territorin e vendit”, shtoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
I kemi dërguar pyetje kryetares së Shkupit se ç’mendon për deklaratat e Mickoskit, por nuk kemi marrë përgjigje.
E përderisa zgjasin përplasjet mes Arsovskas, Mickoskit dhe këshilltarëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së, kaosi me autobusët vazhdon, sidomos tani pas fillimit të vitit të ri shkollor. Kryetarja Arsovska javën e kaluar i dërgoi një letër kryeministrit Mickoski në të cilën kërkoi nga ai që të ndalojë bllokadat dhe Qeveria të blejë autobusë nëse nuk do që këtë procedurë ta kryejë Qyteti i Shkupit.
Të enjten e kaluar në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit u vendosën pikat për vendosjen e transportit të shpejtë me autobus dhe blerjen e 250 autobusëve ekologjikë, por shumica e këshilltarëve nuk i votuan.