Përfundon viti shkollor, nxënësit nisin pushimin veror

2 Min. Leximi

Sot është dita e fundit e mësimit për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut për vitin shkollor 2025/2026. Ata do të jenë në pushim veror deri më 31 gusht.

Për më shumë se 14.500 maturantë, mësimi ka përfunduar më 15 maj. Nesër (11 qershor), kandidatët e regjistruar për maturën shtetërore do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm ekstern nga gjuha amtare (maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht), ndërsa kandidatët për maturën shtetërore profesionale dhe atë artistike do ta japin provimin më 12 qershor. Pjesën e parë të provimit zgjedhor ekstern maturantët e zhvilluan më 6 qershor.

Nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar për maturë, 12.184 janë paraqitur për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike.

Ndërkohë, nxënësit që përfundojnë arsimin fillor këtë muaj duhet të regjistrohen në vitin e parë të shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, duke përdorur llogaritë personale të nxënësve në schools.mk, ndërsa më pas dokumentacioni i nevojshëm do të dorëzohet në shkollat ku ata konkurrojnë.

Gjatë muajit qershor do të ketë dy afate për aplikim elektronik. Sipas konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, afati i parë do të zgjasë nga ora 00:00 e datës 12 qershor deri në ora 23:59 të datës 15 qershor, ndërsa aplikimi i dytë do të realizohet më 23 qershor. Në afatin e gushtit do të ketë vetëm një aplikim, më 20 gusht.

Konkursi parashikon mbi 25.000 vende të lira në 109 shkolla të mesme publike në vend. Prej tyre, më shumë se 17.000 vende janë në arsimin profesional, afro 6.000 në gjimnaze dhe 570 vende në arsimin artistik.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull