Një shuplakë e rëndë kosovare për Policinë shqiptare

3 Min. Leximi

Një goditje i ka ardhur Policisë shqiptare nga Kosova, pas vartësit e ministrit Balla kanë arrestuar gabimisht disa artistë kosovarë, duke i marrë për njerëz të lidhur me një grup trafiku tritoli nga Gjilani.

Raportohet se ata ishin kthyer nga Italia si pjesë e projektit “The Handke Project” me shfaqje në Firence dhe po udhëtonin drejt Kukësit, për të vijuar më pas drejt Kosovës, kur janë ndaluar nga Policia lokale e mbajtur disa orë në Komisariat.

- Advertisement -

Por trajtimi, sipas disa dëshmive nga vetë ata, ka qenë skandaloz, pa llogaritur që iu është marrë liria gabimisht, qoftë dhe për disa orë.

Në njoftimin e qendrës “Multimedia” në Kosovë për këtë rast, thuhet se ata janë lënë të lirë në mëngjesin e së hënës, pasi u sqarua se ishin arrestuar e mbajtur gabimisht, por se orët aty kanë qenë një terror.

“Pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psikikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disaorëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektiv të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhën seksiste, dhunën psikike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre”, shkruhet në njoftimin e lëshuar pas lirimit nga Policia, njëherësh duke thënë se jo të gjithë policët janë sjell keq e se kishte prej tyre me sjellje korrekte.

Një reagim ka ardhur dhe nga dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj, autor i shfaqjes e udhëheqës i qendrës “Multimedia”, duke e quajtur mbajtjen e tyre në Komisariatin e Kukësit si “të tmerrshme”

- Advertisement -

“Është pamja më e mjerë e një Shqipërie që po rrëshqet ngadalë në një shtet ku dhuna e brutaliteti bëhen ligj e mjet komunikimi. Fytyrat e policëve dhunues i mbajmë mend, dhe ata kanë emra, kërkojmë që ata të japin llogari para ligjit. Në anën tjetër, duam po ashtu t’i falënderojmë plot nga ata policë e zyrtarë, që edhe në ato çaste dramatike, na mbështesnin e na trajtonin me dinjitet. Edhe këta kanë emra e edhe këtyre do t’ua mbajmë mend fytyrat”, ka thënë ai.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull