Këto shifra dëshmojnë sërish trendin e rritjes së importit të fuqisë punëtore në Maqedoni, veçanërisht në sektorët ku kompanitë vendase e kanë gjithnjë e më të vështirë të rekrutojnë punonjës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 tetor – Qeveria pret që deri në 13.000 punëtorë të huaj të punojnë në vend deri në fund të vitit, pas rritjes së kuotës për lejet e punës. Në Vendimin për Përcaktimin e Kuotës për Lejet për të Huajt që mund të punësohen në territorin e Maqedonisë për vitin 2026, shifra prej 10.000 është rritur në 13.000 tre muaj para fundit të vitit, shkruan gazeta KOHA. Vendime të tilla merren në fillim të çdo viti, por kuotat ndryshojnë drejt fundit me kalimin e periudhës 12-mujore nëse pritet që ekonomia të ketë nevojë për një numër më të madh punëtorësh të huaj.
Paraprakisht, kuota mbeti në 10.000 gjatë gjithë vitit të kaluar, me Agjencinë e Punësimit që lëshoi 8.509 opinione pozitive për leje pune për vitin 2025, dhe Ministrinë e Brendshme që miratoi 6.128 leje qëndrimi të përkohshme për punëtorët e huaj. Këto shifra dëshmojnë sërish trendin e rritjes së importit të fuqisë punëtore në Maqedoni, veçanërisht në sektorët ku kompanitë vendase e kanë gjithnjë e më të vështirë të rekrutojnë punonjës.
Vetëm në periudhën midis 1 janarit dhe 19 gushtit 2026, Agjencia e Punësimit lëshoi gjithsej 4.250 opinione në lidhje me punëtorët nga pesë vende aziatike. Numri më i lartë i opinioneve u lëshua për punëtorët nga: Bangladeshi 1.837, Turqia 1.257, Nepali 787, India 323, Pakistani 46. Numri i përgjithshëm i punëtorëve të huaj me leje qëndrimi është rritur me tre herë e gjysmë krahasuar me pesë vjet më parë, kur vetëm 1.704 të huaj morën leje. Interesi më i madh për punësimin e të huajve është në ndërtim, industri, hoteleri, turizëm dhe tregti. Ndër vendet me më shumë punëtorë janë Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet.
Ministria e Ekonomisë zakonisht shpjegon se kuota përcaktohet sipas situatës dhe nevojave të tregut të punës. Ata që janë në listën B i mirëpresin këto vendime për rritjen e kuotave, por besojnë se shifrat janë shumë më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit dhe se procedurat administrative mbeten komplekse.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Maqedonia kishte 90.020 të papunë. Gjatë së njëjtës periudhë, kompanitë kishin 10.697 vende pune të paplotësuara, që është një shkallë vendesh të lira pune prej 2.17 për qind.
Nga kërkuesit aktivë të punës të regjistruar në qershor, 58 për qind nuk kishin arsim ose kishin vetëm arsim fillor, dhe 25 për qind të tjerë kishin arsim të mesëm. Pra, 90.000 të papunë nuk janë 90.000 njerëz që mund të qëndrojnë pas një makine ose një banaku nesër. Kualifikimet, vendi i banimit dhe kushtet duhet të përputhen, dhe kjo është çështje arsimimi, rikualifikimi dhe masash aktive të punësimit. Dhe ndërsa dhjetëra mijëra njerëz zyrtarisht kërkojnë punë, kompanitë po kërkojnë gjithnjë e më shumë punëtorë në Bangladesh, Nepal, Turqi.
Qeveria dhe disa punëdhënës e justifikojnë këtë masë duke iu referuar mungesës kronike të fuqisë punëtore në sektorët e ndërtimit, hotelerisë, shitjes me pakicë dhe prodhimit – sektorë që karakterizohen nga kërkesa e lartë, sezonaliteti i theksuar dhe lëvizshmëria e lartë e punonjësve. Për më tepër, si faktor përmenden edhe projektet e mëdha infrastrukturore (siç janë korridoret e transportit), pasi ato kërkojnë një numër të madh punonjësish në terren brenda afateve kohore të ngushta. Në këtë kontekst, punonjësit e huaj shërbejnë si një “zgjidhje e shpejtë” për të mbushur boshllëqet që tregu vendas i punës nuk arrin t’i plotësojë.
Në fillim të janarit 2026, Qeveria e Maqedonisë ka përcaktuar kuotën për lejet e punës për shtetasit e huaj për vitin 2026, me një total prej 10.000 angazhimesh.
Pjesa më e madhe, 9750 leje, është menduar për punësim të rregullt të të huajve, ndërsa 200 janë për të huaj me përvojë dhe 50 për angazhime sezonale. Nga kuota, 4.500 janë për punëtorë të rinj dhe 5.250 janë për zgjatjen e lejeve për ata që tashmë punojnë në vend. Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të monitorojë shfrytëzimin e kuotës dhe situatën në tregun e punës. Vendimi hyn në fuqi sot, më 16 janar 2026. Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e të huajve nuk duhet të kalojë 5 për qind të popullsisë totale në moshë pune në vend.
Verën e kaluar, Qeveria propozoi, dhe Parlamenti miratoi, ndryshime në Ligjin për të Huajt, të cilat përcaktojnë se, përtej kësaj kuote, qëndrimi i përkohshëm për qëllime pune do t’u jepet edhe të huajve që punojnë në projekte strategjike të përcaktuara nga një ligj i veçantë. Kjo do të thotë që punëtorët e angazhuar në projekte strategjike janë një fuqi punëtore shtesë, jashtë kuotës deri në 10.000. Një projekt i tillë strategjik është, për shembull, ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10D nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. (koha.mk)

