Deputetja e LSDM-së dhe ish-ministre e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, për TV24 ka thënë se fjalimi i ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, kishte për qëllim nënvlerësimin dhe diskriminimin e saj. Ajo po ashtu ka sqaruar se do të bëjë ankesë në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, transmeton Portalb.mk.
“Unë u ngjita në foltore dhe thashë se kam bërë një pyetje për të cilën nuk kam marrë përgjigje dhe nuk është niveli im të komentoj këtë lloj ofendimi dhe diskriminimi. Unë nuk e kam pranuar fyerjen, a ishte qëllimi të marr fyerje që nuk kam fëmijë dhe familje, absolutisht po. Ajo për të cilën aludohej përgjigja ishte një nënvlerësim dhe një përpjekje për të më diskriminuar sepse nuk kam fëmijë. Do të paraqes ankesë në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Kjo që ndodhi sot nuk është për Sllavjankën, kjo sjellje e pushtetit duhet të ndalet. Nëse sot flasim për demokraci parlamentare, secili duhet ta dijë vendin e tij”, tha Petrovska.
Ajo foli edhe për faktin se në pyetjet parlamentare nuk ka marrë përgjigje në pyetjen për Ligjin për uljen e shpenzimeve të udhëtimit.
“Kam bërë një pyetje që e konsideroj vendimtare. Pyetja ime për të cilën nuk mora përgjigje ishte për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve, pse nuk e përkrahën Ligjin për uljen e shpenzimeve të udhëtimit. Nëse VMRO-DPMNE mendon se pyetjet duhet t’i formulojnë ata, atëherë është gabim, është e drejta ime demokratike se si do ta bëj pyetjen. Nxirrni një fjalë me të cilën e ofendova ministren. Kjo sjellje e saj nuk është e para. Ka pasur situata të ngjashme dhe më të tmerrshme”, shtoi Petrovska.
Asnjëherë nuk kam pasur qëllim të ofendoj deputeten Sllavjanka Petrovska, por respekti duhet fituar, thotë nga ana tjetër ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska përmes një postimi në profilin e saj në Facebook.
Njoftimi i Dimitrieska-Koçoskës vjen si kundërpërgjigje ndaj reagimeve të shumta të LSDM-së, partive tjera politike dhe qytetarëve, të cilët paraqitjen e saj të djeshme në Kuvend e vlerësuan si sulm personal ndaj Petrovskës për shkak të gjendjes së saj familjare duke e pyetur “në bazë të çkaje i vë në gojë nënat që kanë fëmijë dhe si e di se sa duhet të shpenzojë një familje shumë anëtarësh”. Ministrja shtoi se ajo ishte nënë e dy djemve dhe prandaj e dinte më mirë se sa shpenzon një familje me katër anëtarë.
Jovanka Trençevska nga LSDM madje ka kërkuar sot dorëheqjen e ministres.
“Jemi këtu për të kërkuar me zë të lartë dhe qartë. Gordana Dimitrieska-Koçoska duhet të japë dorëheqje. Ministrja që poshtëron një qytetar të këtij vendi, që fyen një deputet, që përhap diskriminim, nuk meriton të udhëheqë një ministri, nuk meriton të ulet në një Qeveri që pretendon se punon për qytetarët”, tha Trençevska.
Disa orë pas daljes së saj në Parlament, ajo deklaroi se akuzat ndaj saj për sulm personal ishin të rreme dhe pjesë e asaj që ajo e quajti “histeria e LSD”.
Deputetja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Sllavjanka Petrovska, duke bërë pyetje, iu referua deklaratave të fundit të ministres së financave Gordana Dimitrieska-Koçoska për çmimet e ushqimeve, si bizelet e konservuara dhe sasinë e qumështit që duhet të konsumojë një familje.
Dimitrieska-Koçoska në vend që të përgjigjet e sulmoi Petrovskën në baza personale për gjendjen e saj familjare.
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, deklaratën e ministres e vlerësoi si të pafytyrë, poshtëruese dhe me diskreditim personal.
Edhe LSDM dhe Forumi i Gruas e dënuan deklaratën e ministres së Financave, Koçovska, ndaj deputetes Sllavjanka Petrovska.
Ndaj kësaj gjuhet të ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska ka reaguar edhe Platforma pë barazi gjinore, nga ku thonë se ministrja përdori një fjalim diskriminues.
“Deklarata e Dimitrieska-Koçoskës është edhe një konfirmim i përhapjes dhe tolerancës së diskriminimit, i cili praktikohet me qëllim të poshtërimit të grave, veçanërisht në sferën publike. Si Platformë, ne dënojmë retorikën e ministres për t’i instrumentalizuar gratë për qëllime nacionaliste, profitare dhe patriarkale, si dhe për të diskredituar mundësitë e barabarta, diversitetin dhe lirinë mes dhe për gratë”, thuhet në reagim.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka të ndalur përdorimi i gjuhës së papërshtatshme dhe ofendimet midis deputetëve.
Së fundmi deklarata dhe fjalor të pahijshëm kanë drejtuar në adresë të njëri tjetrit deputetët Talat Xhaferi nga Fronti Evropian dhe Rijad Shaqiri nga Vlen, duke përmendur familjarë të njëri tjetrit, përkatësisht duke bërë sulme mbi baza personale.
Kujtojmë që deputeti Rijad Shaqiri në dhjetor të vitit 2024 përdori gjuhë seksiste ndaj deputetes Ilire Dauti, duke i thënë “mos ma keqpërdor njerzillëkun tim si femër me të trajtuar, se të ishe burrë ndryshe kishim folur”.