Mickoski: Po thellojmë bashkëpunimin strategjik dhe ekonomik me SHBA-të

3 Min. Leximi

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili kryeson delegacionin qeveritar në vizitën e punës në SHBA, sot në Uashington zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane, Kongresit dhe sektorit ekonomik. Në fokus të takimeve ishin thellimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe hapja e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime.

Mickoski zhvilloi takim me Caroline Vic, drejtoreshë kryesore për politikat dhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës kryesore për zhvillim në Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar – DFC, institucion që disponon kapacitet investues prej 205 miliardë dollarësh dhe përfaqëson një instrument të rëndësishëm të SHBA-së për mobilizimin e kapitalit privat dhe investimeve në sektorë strategjikë.
Në takim u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe investimeve të mundshme në Maqedoni në disa fusha, me theks të veçantë te energjetika, teknologjitë e larta dhe sektorë të tjerë strategjikë. DFC në aktivitetin e saj i kushton vëmendje të veçantë energjetikës, infrastrukturës moderne dhe teknologjive të avancuara, ndërsa pas zgjerimit të kompetencave të saj, disponon kapacitet dukshëm më të madh për investime ndërkombëtare.

Vizita në Uashington u shfrytëzua edhe për një sërë takimesh politike me përfaqësues të Kongresit amerikan.
Kryeministri zhvilloi takim me kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në takim u diskutua për rëndësinë e partneritetit strategjik mes Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, interesat e përbashkëta të dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.

Mickoski zhvilloi takim edhe me kongresmenen Claudia Tenney, bashkëkryetare e Grupit të Miqësisë me Maqedoninë në Kongresin e SHBA-së.

Në bisedime u theksua rëndësia e marrëdhënieve tradicionalisht të forta dhe miqësore mes Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësia e bashkëpunimit parlamentar, dialogut politik dhe shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve.
Seria e takimeve në Uashington paraqet vazhdim të përpjekjeve për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, por edhe për përkthimin e tij në bashkëpunim konkret ekonomik, investime të reja dhe projekte me interes për vendin.
Kryeministri Mickoski, në kuadër të vizitës në SHBA, do të marrë pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë paraparë takime me një numër të madh liderësh shtetërorë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull