Mickoski: Nuk do të rritet mosha për pensionim, as nuk do të shkurtohen festat

3 Min. Leximi

Sistemi pensional është i qëndrueshëm dhe i sigurt, ndërsa pensionistët nuk kanë asnjë arsye për t’u shqetësuar, thotë kryeministri Hristijan Mickoski dhe siguron se për momentin nuk ka nevojë për masa si rritja e kufirit të moshës për pensionim apo kontribute më të larta, siç propozojnë ekspertët. Përgjigjja vjen pas paralajmërimit të Këshillit Fiskal se pa një paketë reformash të menjëhershme, vrima në Fondin për Sigurim Pensional do të rritet dhe mund të arrijë deri në 1.3 miliardë euro. Aktualisht, mbi 40 për qind e shpenzimeve të Fondit për Sigurim Pensional mbulohen nga arka e shtetit. Kryeministri thotë se secili ka qëndrimin e vet, si dhe drejtori i Fondit Pensional, i cili u pajtua me ekspertët, ndërsa të gjitha propozimet dhe vërejtjet për reformat merren parasysh, por vendimin përfundimtar e merr Qeveria.

“Qeveria dhe unë personalisht vlerësojmë se gjendja është absolutisht e qëndrueshme dhe e sigurt. Dhe pensionistët nuk duhet të shqetësohen. Në fund të fundit, kjo Qeveri i rriti pensionet mesatarisht si asnjë Qeveri tjetër në historinë e Maqedonisë së pavarur. Nëse më tej dhe në të ardhmen kemi çfarëdo politikash, publiku do të jetë, për politika të ndryshme publiku do të informohet. Paratë janë këtu, por paratë duhet të gjenden aty ku keqpërdoren”, tha Hristijan Mickoski.

Mickoski është i prerë edhe sa i përket propozimit të Odës Ekonomike për zvogëlimin e numrit të festave për punëtorët. Thotë se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk ka kurrfarë dileme.

Opozita, nga ana tjetër, doli me akuza se pushteti e ka sjellë Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor para kolapsit. Thonë se vrimën në Fondin Pensional e kanë rritur në një miliard euro historike, mbi 14 për qind të të gjithë buxhetit të shtetit.

“Edhe pse nga 1 korriku kontributi për Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor është rritur për një pikë përqindjeje, përmes ridrejtimit të mjeteve që shkonin në Agjencinë e Punësimit, deficiti vazhdon të rritet. Analizat e fundit të Këshillit Fiskal tregojnë se vrima do të rritet në 1.3 miliardë euro në vitet e ardhshme! Pagesat e pensioneve për pensionistët aktualë dhe të ardhshëm janë në rrezik”, tha Jovana Trençevska.

Vrima në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor është problem për të cilin flitet prej vitesh, ndërsa Banka Botërore dhe FMN-ja tashmë disa herë kanë rekomanduar që, përveç kontributit, të rritet edhe kufiri i moshës për pensionim.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull