Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, para fillimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në kushtet aktuale. Ai ka theksuar se fillimisht duhet të hapet dhe të dakordohet çështja e planit të veprimit për pakicat.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe kërkesën për ndryshime kushtetuese, veçanërisht pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Mickoski ka thënë se ekziston edhe një pengesë tjetër që duhet të tejkalohet paraprakisht.
“Ne fillimisht duhet të bisedojmë për planin e veprimit. Edhe nëse nesër vendosim ta ndryshojmë Kushtetutën, gjë që nuk do të ndodhë, por le ta marrim si hipotetike, përsëri përpara nesh kemi një pengesë, e ajo është plani i veprimit për pakicat”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se Qeveria tashmë ka dorëzuar një propozim dhe se është thelbësore që fillimisht të arrihet marrëveshje për planin e veprimit.
“Prandaj ne dhamë një propozim dhe mendoj se është thelbësisht e rëndësishme që fillimisht të flasim për planin e veprimit për pakicat. Le ta dakordojmë këtë, sepse 26 vende anëtare nuk kanë kundërshtime, vetëm një është kundër. Le ta dakordojmë dhe të shohim nëse kemi hapësirë për të biseduar për çfarëdo çështjeje tjetër”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

