Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë qëndrimit të sotëm në Kërçovë tha se për shkak të punës kriminale të ish pushtetit janë humbur fondet e siguruara nga programi IPA për ndërtimin e kanalizimit në fshatin Zajas. Për këtë, Mickoski tha se tani duhet të sigurohen para nga buxheti i shtetit.
“Ishte projekt jashtëzakonisht kriminal, me tërë përgjegjësinë atë mund ta them. Kompani që ndërkohë bankroton me burime të panjohura të garacinsë bankare e kështu me radhë…”.
”E humbëm grantin dhe tani duhet paratë nga buxheti në vend që t’i financojmë projektet tjera, ne do të duhet për ato që tanimë ka pasur grant. Ja pra kështu kanë punuar, sot që këta që sot kritikojnë. Paramendoni Zajas ka ndriçim rrugor, por nuk ka kanalizim, pasi e kanë vjedhur”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Për humbjen e mjeteve edhe kryetari i Kërçovës Aleksandar Jovanovski, gishtin e drejtoi kah ish pushteti.
“Për fat të keq, për shkak të joseriozitetit të ish pushtetit i kemi humbur mjetet dhe tani siç tha kryeministri do të duhet të financojmë nga mjetet e qeverisë, do të shkurtojmë në punë tjera, por duhet këtë ta bëjmë pasi seriozisht do ta përmirësojë jetën e qytetarëve”, theksoi Aleksandar Jovanovski, Kryetar i Kërçovës.
Nga ana tjetër, zëvendësministrja e Ekologjisë Ana Llashkovska theksoi që aktualisht janë duke përfunduar me mbledhjen e dokumentacionit, ndërsa më pas do të shpallet tenderi. Puna intensive pritet të fillojë kah fundi i vitit.
“Jemi përballur me problem jashtëzakonisht të rëndë me këtë projekt, megjithatë tanimë jemi në fazë kur problemi është tejkaluar. Dokumentacionin i cili mund të them se ishte më i panevojshëm, po e përpunojmë dhe pres deri në fund të javës së ardhshme plotësisht të përfundohet, pas çka tërësisht do të mbarojë dokumentacioni i projektit dhe mund të shpallim tender”, tha Ana Llashkovska, Zëvendësministre e Mjedisit Jetësor.
Kanalizimi në Zajas është premtuar më dekada, ndërsa ishte pjesë e fushatës së fundmi parazgjedhore, e cila u bë temë e përplasjeve meqë Ali Ahmeti mbi dy dekada në pushtet, nuk kishte arritur ta bëjë me kanalizim fshatin e tij të lindjes. /Alsat.mk/

