Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka konfirmuar se bashkëpunimi mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit qeveritar VLEN do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale. Në një deklaratë për gazetarët, ai theksoi se qeveria aktuale funksionon me një kohezion të jashtëzakonshëm dhe se ky partneritet do të reflektohet edhe në procesin zgjedhor.
“Është e natyrshme që koalicioni ynë qeveritar të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale. Ne kemi një planprogram të përbashkët qeveritar dhe funksionojmë mirë si ekip, ndaj nuk ka arsye që të pranojmë një platformë tjetër politike në nivel lokal,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se diskutimet me partnerët qeveritarë janë në vijim dhe se përgatitjet për zgjedhjet lokale do të zhvillohen në përputhje me këtë vendim.
Kjo deklaratë vjen si një konfirmim i angazhimit të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it për të thelluar bashkëpunimin politik, duke synuar forcimin e pozitave të tyre edhe në nivel lokal.