Kush po i ndot ujërat e Dibrës?

4 Min. Leximi

Përfaqësues të shoqatave qytetare dhe ekologjike thonë se në vazhdimësi lumi Radikë, por edhe Liqeni i Dibrës, janë përballur me ndotje të ndryshme, veçanërisht me mbetje plastike dhe derdhje vajrash

Vjollca SADIKU

Dibër, 11 shtator – Organet kompetente, siç ka njoftuar pushteti vendor në Dibër, kanë zbardhur rastin e ndotjes së lumit Radikë dhe Liqenit të Dibrës. Në njoftimin e Komunës së Dibrës thuhet se rasti është trajtuar në kohë rekord dhe personi përgjegjës është sanksionuar. “Në kohë rekord, pas rastit të hedhjes së mbeturinave në lumin Radikë, Inspektorati pranë Komunës së Dibrës, së bashku me institucionet kompetente, dolën në terren dhe ndërmorën masat e nevojshme, duke sanksionuar personin përgjegjës për ndotjen.

Ky nuk është vetëm një sanksion, por fillimi i një qasjeje të re dhe më të vendosur. Çdo person që ndot lumin Radikë, hapësirat publike apo çdo pjesë tjetër të mjedisit do të përballet me masat dhe sanksionet e parapara me ligj. Lumi Radikë dhe hapësirat publike nuk janë vende për hedhjen e mbeturinave. Mbrojtja e natyrës dhe ruajtja e pastërtisë së Dibrës është përgjegjësi e të gjithëve. Komuna e Dibrës do të vazhdojë me kontrolle dhe veprime konkrete për një Dibër më të pastër, më të rregullt dhe me më shumë rend”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dibrës.

Ndërkohë, shoqatat qytetare kërkojnë që opinioni publik të informohet më konkretisht për rastin, duke bërë të ditur emrin e personit përgjegjës, por edhe masat që do të ndërmerren ndaj tij nga institucionet kompetente. Sipas tyre, nuk duhet të trajtohet vetëm rasti i fundit, por të hetohen edhe rastet e tjera të ndotjes së ujërave në territorin e Komunës së Dibrës dhe të merren masa në përputhje me ligjin.

Përfaqësues të shoqatave qytetare dhe ekologjike thonë se në vazhdimësi lumi Radikë, por edhe Liqeni i Dibrës, janë përballur me ndotje të ndryshme, veçanërisht me mbetje plastike dhe derdhje vajrash. Ata kujtojnë se para disa vitesh pati edhe raste të ndotjes me vajra, por asnjëherë nuk u bë e ditur se kush ishte përgjegjës, edhe pse, sipas tyre, opinioni publik kishte dijeni për rastin. Një tjetër problem i ngritur nga qytetarët është hedhja e drejtpërdrejtë e mbeturinave nga disa fshatra në ujërat e Liqenit të Dibrës.

Shoqatat kërkojnë gjithashtu që koncesionari i Liqenit të Dibrës, “Trofta”, të jetë më aktiv në parandalimin dhe evidentimin e rasteve të ndotjes, duke pasur parasysh se ka mundësi të monitorojë gjendjen e ujërave të liqenit dhe të reagojë në kohë ndaj rasteve të tilla. Sipas popullatës lokale, prej vitesh lumi Radikë dhe Liqeni i Dibrës mbushen me mbeturina, sidomos gjatë periudhave të caktuara të vitit. Ata kërkojnë që kjo dukuri të ndalet në mënyrë të prerë dhe që organet kompetente të marrin masa konkrete për mbrojtjen e pastërtisë së ujërave.

Ndërkohë, anëtarë të shoqatave ekologjike të Dibrës kërkojnë që të hetohet edhe funksionimi i Kolektorit të Liqenit të Ohrit në Strugë. Sipas tyre, kolektori shpesh nuk funksionon siç duhet, ndërsa ndotjet mund të vazhdojnë rrugën ujore përmes lumit Drini i Zi, duke përfunduar në Liqenin e Dibrës. Shoqatat ekologjike dhe qytetarët e Dibrës kërkojnë një angazhim më të madh të institucioneve për kontrollin e burimeve të ndotjes, identifikimin e përgjegjësve dhe zbatimin e masave ligjore, me qëllim mbrojtjen e lumit Radikë, Liqenit të Dibrës dhe mjedisit në përgjithësi. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull