Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se po përmbyllet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në lagjen Saat Kullë, që përfshin rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atij atmosferik.
Sipas tij, investimi do të sjellë përmirësime të ndjeshme në cilësinë e shërbimeve komunale për banorët e kësaj zone.
“Po përmbyllet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në këtë vendbanim: rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atij atmosferik”, ka theksuar Mexhiti.
Ai shtoi se “nga ky investim do të sigurohet furnizim më cilësor me ujë të pijshëm, rrjet më funksional të kanalizimit dhe kushte më të mira jetese për qytetarët”.
Mexhiti bëri të ditur se punimet në rrjetin e ujësjellësit janë drejt përfundimit, ndërsa në periudhën e ardhshme do të nisë asfaltimi i rrugëve ku janë realizuar ndërhyrjet infrastrukturore.
“Mbi 59.8 milionë denarë investim për infrastrukturë moderne, më efikase për banorët e Saat Kullës”, theksoi ai.
Në fund, kryetari i Çairit ritheksoi përkushtimin për vazhdimin e investimeve në të gjitha lagjet e komunës, duke porositur se “vazhdojmë në secilën lagje, dhe në gjithë Çairin”.

