Para se të bëhej një votim i tillë (për ndryshimet në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore), disa ditë më parë kemi pasur një mbledhje të koalicionit ‘Fronti Evropian’ me një përbërje më të gjerë të kryetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të partitë, në të cilat jemi informuar se ka ftesë nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet ose ndonjë lloj ftese përmes palëve të treta. Kemi diskutuar dhe një nga pyetjet ka qenë se si do të veprohet, pra a duhet të ulemi të flasim apo të udhëhiqemi nga ajo që tashmë është shpallur, pra të vazhdojmë të kërkojmë legjitimitet. Është diskutuar dhe është arritur mendimi unanim se duhet të ulemi me VMRO-DPMNE-në dhe të hapen të gjitha çështjet, tha ministri aktual i Drejtësisë Krenar Loga në një intervistë për “360 Gradë” në MRT 1, transmeton Portalb.mk.
Kjo ftesë e VMRO-DPMNE-së, sipas Llogës – anëtar i Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka qenë e përgjithshme dhe jo vetëm për ndryshimet në ligjin për riorganizimin e ministrive.
“E përgjithshme, sepse ne i dhamë mandat një deputeti të koalicionit tonë, ku përfaqësuesi ynë ishte Elmi Aziri, i cili u ul në Kuvend dhe aty u ngritën dy çështje kyçe – njëra ishte për amendamentet e këtij ligji dhe tema tjetër ishte për krijimin e një komisioni ad-hoc në parlament, i cili dy herë në vit do të japë një raport se sa është zbatuar balancuesi”, tha Lloga.
Lloga thotë se kjo pikë është e rëndësishme për përfaqësuesit e “Frontit Evropian”, sepse në Maqedoni nuk respektohet përfaqësimi i drejtë, me keqpërdorim të balancuesit dhe diskriminim si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj maqedonasve. Gjithashtu, si kandidate në listën e “Frontit Evropian” në zonën e tretë zgjedhore, Lloga ka vërejtur diskriminim ndaj komunitetit turk në pjesën lindore të vendit.
I pyetur se pse në vend të kësaj pike nuk iu kërkua të diskutojnë tema të tjera që sipas retorikës së “Frontit Evropian” janë të rëndësishme për ta, siç janë ndryshimet kushtetuese për pranimin e bullgarëve, Lolga thotë se këto tema do të jetë në tavolinë edhe më tutje sepse dialogu mes VMRO-DPMNE-së dhe “Frontit Evropian” do të vazhdojë.
Lidhur me njoftimin e ardhur nga VMRO-DPMNE pas takimit me përfaqësuesit e “Frontit Evropian” të premten në mbrëmje, në të cilin thuhet se “ligji është punuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë të shtetit dhe është pjesë e Programi IPA i Bashkimit Evropian”, ai komenton:
“Ka shumë vite që kjo temë është në pikëpyetje se a duhet të ketë riorganizim të institucioneve, keni institucione të verbra që nuk e dini pse ekzistojnë”.
I pyetur mbi atë se ekzistojnë dy teza për mbështetjen – njëra është se ka një pazar ndërmjet BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së lidhur me rastet e mundshme të ndjekjes penale dhe e dyta është se Ahmeti, i vetëdijshëm se dy deputetë turq nga koalicioni plus Menduh Thaçi, me siguri se do ta mbështesin këtë ligj, dhe duke mos dashur të krijojë perceptim se koalicioni i tij po shembet, ai vendosi të japë mbështetje në nivelin e “Frontit Evropian”. Lloga shton se nuk ka një tezë të tillë, sepse ditë më parë edhe partitë turke edhe Menduh Thaçi e të tjerët në daljet publike dhe përmes reagimeve në rrjetet sociale kanë deklaruar qëndrimin e tyre se mbeten në Front dhe çfarëdo qëndrimi të merret do të përkrahet.
Lidhur me atë se pse deputetët e Aleancës për Shqiptarët nuk e mbështetën ligjin, Lloga shton:
“Ne kemi pasur edhe diskutime brendapartiake në Kuvend kur ka pasur koordinim të grupit parlamentar për votim. Të gjithë, të udhëhequr nga përvoja e tyre, shprehën qëndrimet e veta – ne kemi përvojë si opozitë konstruktive për rreth dhjetë vjet, BDI ka përvojë më shumë se njëzet vjet në pushtet dhe qëndrimi i tyre ishte që shumicës së re t’i jepet një shans dhe se kjo legjitimitetin e merr nga Fronti dhe jo nga VLEN sepse pa votat e “Frontit Evropian” ligji nuk mund të kalonte”.
Kujtojmë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe “asnjë” abstenim rreth orës 02:30 të mëngjesit të 8 qershorit ka miratuar ndryshimet e propozuara të Ligjit për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me të cilat nga 16 do të bëhen 20 ministri. Këto propozime erdhën nga mandatari i qeverisë së ardhshme, kryetari i VMRO-DMPNE-së Hristijan Mickoski.
Përveç votave të deputetëve të shumicës (VMRO, VLEN, ZNAM) e cila pritet të formojë Qeverinë e re, votuan edhe deputetët e Frontit Evropian, të cilët përmes një njoftimi në orët e vona njoftuan se do përkrahin këtë ligj.