Gazetari kosovar Mirlind Behluli mbron shqiptarët e Maqedonisë: Kanë luftuar dhe sakrifikuar për kombin

2 Min. Leximi

Gazetari nga Kosova, Mirlind Behluli, ka reaguar ndaj komenteve dhe kritikave që ditëve të fundit janë adresuar nga disa analistë kosovarë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, pas protestës së zhvilluar në Tiranë.

Përmes një postimi publik, Behluli ka dënuar ironizimet dhe përçmimet ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, duke kujtuar kontributin e tyre historik në çështjen kombëtare shqiptare.

“Qe dy-tri ditë, ‘analistët’ kosovarë të Edi Ramës po ironizojnë e përçmojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut veç pse po protestojnë në Tiranë. Shqiptarët e Maqedonisë kanë luftuar me pushkë për Shqipërinë, për Kosovën e krejt në fund për veten. Ka edhe dëshmorë”, shkruan Behluli.

Ai thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë kontribuar në fondin 3 për qind të presidentit historik Ibrahim Rugova, si dhe në fondet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke nënvizuar se roli i tyre në proceset kombëtare nuk mund të mohohet.

Gazetari kosovar përmend edhe simbolikën kombëtare në Shkup, ku gjenden statujat e Skënderbeut dhe Hasan Prishtinës, ndërsa kujton se edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare kishte vlerësuar vendosjen e monumentit të heroit kombëtar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Në reagimin e tij, Behluli akuzon ashpër ata që sulmojnë shqiptarët e Maqedonisë, duke thënë se nuk e njohin historinë dhe realitetin e tyre.

“Argatët me honorar të Edi Ramës as nuk e njohin historinë, as aktualitetin e shqiptarëve në Maqedoni. Këta argatë janë bashkim i injorancës dhe poshtërsisë. Prandaj nuk përtojnë të ofendojnë shqiptarët veç për interes të Edi Ramës”, ka shkruar ai.

Reagimi i Behlulit vjen në një kohë kur debatet mes figurave publike nga Kosova dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë intensifikuar pas zhvillimeve të fundit politike dhe protestave në Tiranë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull