Kryeparlamentari Gashi bën thirrje për fushatë dinjitoze para zgjedhjeve lokale të 19 tetorit

2 Min. Leximi

Një ditë para nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kryeparlamentari Afrim Gashi, ka bërë një thirrje publike për zhvillimin e një gare të drejtë, demokratike dhe dinjitoze.

Në deklaratën e tij, Gashi ka theksuar rëndësinë e këtij momenti për demokracinë e vendit dhe të ardhmen e komunave, duke nënvizuar se zgjedhjet nuk janë thjesht një formalitet institucional, por një mjet thelbësor për qytetarët që të zgjedhin drejtues me integritet dhe vizion.

“Demokracia nuk matet me fitoren e një individi apo partie, por me dinjitetin e garës. Prandaj, pres me besim që ky proces zgjedhor të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike dhe reflektim i aspiratave tona europiane”, u shpreh Gashi.

Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve, kandidatëve dhe qytetarëve që të shmangin çdo formë presioni, gjuhë të urrejtjes, propagandë përçarëse apo keqpërdorim të resurseve publike. Gashi kujtoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të Deklaratës së përbashkët për zgjedhje të drejta dhe demokratike, të miratuar më herët nga Kuvendi.

Duke u uruar suksese të gjithë kandidatëve dhe partive, kryeparlamentari kërkoi që fushata të fokusohet në nevojat e qytetarëve dhe të udhëhiqet nga ndershmëria, si mënyra më e mirë për të garantuar një fitore të përbashkët për gjithë shoqërinë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull