Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova mban qëndrim të fortë në mbështetje të Ukrainës, sepse e di se sa i lartë është çmimi për lirinë, duke aluduar në luftën e fundit që e ka bërë Serbia. E kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Kosova qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj Ukrainës
Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë kanë ritheksuar mbështetjen pro Ukrainës të shtunën, kur janë bërë dy vjet prej kur Rusia ka nisur agresionin ndaj këtij shteti.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova mban këtë qëndrim, sepse e di se sa i lartë është çmimi për lirinë, duke aluduar në luftën e fundit në Kosovë.
“Ne e dimë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të pafajshëm; të dhunës seksuale gjatë luftës; e varreve masive me eshtrat e njerëzve tanë të dashur. Por liria fitoi dhe do të mbizotërojë përsëri! Slava Ukraina!”, ka shkruar presidentja Osmani në platformën sociale “X”.
Ukraina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. Por, Kosova është në mesin e shteteve që ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. E Forca e Sigurisë së Kosovës ka trajnuar ushtrinë ukrainase për deminim.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj Ukrainës.
Ai ka thënë se përballë agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin.
“Ushtarët e tyre vazhdojnë luftën e një populli të tërë – të guximshëm dhe të vendosur si kurrë më parë. I përshëndesim dhe i garantojmë mbështetjen tonë të palëkundur, derisa fitorja të jetë e tyre”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Pas agresionit rus në Ukrainë, Kosova ka ofruar ndihmë për gazetarët.
“Gazetarët në Rezidencë” është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Nëpërmjet këtij programi mundësohet strehimi i përkohshëm për gazetarët ukrainas.
Në Kosovë janë 13 gazetarë ukrainas. Ato ndjekin kurse të gjuhës angleze në Prishtinë dhe angazhohen në projekte me mediat ukrainase dhe ato evropiane.