Çitaku ndaj ndërkombëtarëve: Dikur Thaçin e krahasonit me George Washingtonin, sot na thoni ta pranojmë vendimin

2 Min. Leximi

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj qëndrimeve të aleatëve ndërkombëtarë të Hashim Thaçit pas vendimit në Hagë, duke kundërshtuar thirrjet që aktgjykimi të pranohet dhe çështja të vazhdojë në apel.

“Paskan filluar të reagojnë aleatët historikë të Hashim Thaçit. Ata me të cilët ai punoi që nga dita e parë. Ata me të cilët, bashkë, arritëm shumë suksese e momente historike”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka ironizuar me mesazhet që, sipas saj, po vijnë nga ish-bashkëpunëtorët ndërkombëtarë të Thaçit.

“E tash paskan filluar të na thonë: pranojeni vendimin, sepse ka apel… Faleminderit shumë.”

Çitaku ka thënë se për Kosovën, Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë vetëm figura me të cilat ndërkombëtarët kanë bashkëpunuar në një periudhë të caktuar.

“Për ju, ndoshta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë vetëm njerëz me të cilët, në një moment të caktuar të historisë, keni bashkëpunuar. Njerëz që dikur i keni vlerësuar e lartësuar, aq sa Hashim Thaçin e keni krahasuar edhe me George Washingtonin.”

Sipas saj, katër ish-krerët e UÇK-së janë pjesë e historisë dhe e themeleve të shtetit të Kosovës.

“Për ne, nuk janë thjesht personazhe të një kapitulli të kaluar. Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës.”

Çitaku ka përfunduar duke deklaruar se vendimi nuk do të pranohet.

“Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë. Deri në fund. Deri në liri.”

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull