Kaosi në transportin urban të kryeqytetit po arrin kulmin. Probleme të mëdha me autobusët privat, por edhe me ata shtetëror. Qytetarëve u duhet të presin me orë të tëra në këto temperatura të larta, ose të gjejnë alternativa të tjera të kushtueshme për të kryer obligimet e tyre në kryeqytet.
Qyteti i Shkupit dhe Transportuesit Privatë, asesi të gjejnë gjuhë të përbashkët për të zgjidhur problemin me qarkullimin e autobusëve. Transportuesit Privatë, në shenjë protestë, ka disa ditë që qarkullojnë nga ora 5 e mengjesit deri në orën 10, pastaj ndrimi i dytë aspak nuk funskiononë dhe pastaj sërish vazhdojnë nga ora 17 deri në orën 24:00. Të pytur nga Televizioni Shenja, ata nuk deshirojnë të flasin para kamerave, por sqaruan se kanë pasur një takim në qytetin e Shkupit, me çka presin që deri të premten të definohet e gjitha situata. Në të kundërtën, ata paralajmërojnë masa ende më rrigoroze.
Probleme me autobusët, ka edhe në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik. Drejtori i kësaj ndërrmarje, Dragi Koshovski, thotë se situata me transportin publik të kryeqytetit është alarmante, ndërsa nga shtatori ai tha se situata do të jetë edhe më e vështirë. Kushovski në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit theksoi se për momentin ka mungesë të 40 deri 50 autobusëve.
DRAGI KOSHOVSKI,DREJTOR I NDËRMARRJES SË QARKULLIMIT PUBLIK
“Aktualisht janë vënë në qarkullim nga 190 deri në 200 autobusë. Me këtë numër autobusësh nuk mund të shërbejmë as orarin veror, që e dimë se është një orar i shkurtuar. Sado që punojmë dhe duam, shoferët nuk arrijnë të zbatojnë orarin e vozitjes. Nga shtatori, kur do të futet edhe orari dimëror, situata do të jetë edhe më e vështirë për shkak se numri i autobusëve do të rritet. Nga këndvështrimi i sotëm, edhe nëse asnjë autobus nuk na prishet, do të kemi mungesë prej 100 autobusësh. Për momentin kemi mungesë prej 40-50 autobusë”.
Ndërkaq, LSDM-ja opozitare vlerson se kaosi total që po ndodh me transportin publik në Shkup, nodh për shkak se ka vite që VMRO-DPMNE nuk ka blerë autobusë të rinj, vetëm për hir të interesave të ngushta partiake. “Pasi dështuan marrëveshjet e tyre me Arsovskën, VMRO-DPMNE po i keqtrajton shkupjanët. Në Këshillin e Qytetit të Shkupit janë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së që po e bllokojnë punën e qytetit, po i bllokojnë projektet që i kanë premtuar së bashku me Arsovskën, siç është blerja e autobusëve të rinj”, thojnë më tej nga LSDM.
LSDM
“Pas fatkeqësisë që i ndodhi Shkupit me Koce Trajanovskin, Shkupi 2014 dhe blerjes së autobusëve kinezë që po rrënohen, tani VMRO-DPMNE po përgatit një fatkeqësi të re. VMRO-DPMNE me bllokada dëshiron ta shkatërrojë NQP-në, të cilës i nevojiten 50 autobusë vetëm për të funksionuar. Çmimin për këtë sjellje të VMRO-DPMNE-së e paguajnë çdo ditë qytetarët e Shkupit”.
Ndërkohë, në seancën e Këshillit të qytetit të Shkupit, nuk kaloi as propozimi për furnizim të autobusë të rinj ekologjikë. Për propozimin votuan vetëm 17 këshilltarë. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ju bëri thirrje këshilltarëve që të japin mbështetje për nismën për furnizimin e autobusëve të rinj ekologjikë.
DANELLA ARSOVSKA, KRYETARE E QYTETIT TË SHKUPIT
“Ky qytet ka nevojë për mjete transporti që do të jenë ekologjike dhe që nuk do të ndotin ajrin dhe do të kënaqin nevojat e qytetarëve. Çdo ditë shikoni që qytetarët janë të pakënaqur. Vendimi që do t’ua zgjidhë problemin është në dorën tuaj, nuk mund ta marr sepse është vendimi juaj. Nëse do të mund ta merrja vetë, do ta kisha marrë vendimin deri më tani”.
Arsovksa shtoi se ky furnizim publik duhet të jetë shumëvjeçar dhe nëse fillohet me procedurën, ajo do të përfundonte vitin e ardhshëm, ndërsa furnizimi do të ishte nga viti 2026.