Ziadin Sela, aktualisht ndodhet në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit në Gostivar, pas ankesës së dorëzuar lidhur me çështjen e subjektit politik, “Aleanca për Shqiptarët”.
Pas disa vendimeve të shkallës së parë, ku dy prej tyre ishin në favor të Selës dhe një në favor të krahut të Taravarit, ai ka zgjedhur të ndjekë rrugën ligjore përmes apelimit, duke kërkuar një vendim përfundimtar që do të përcaktojë drejtimin e mëtejmë politik. Në paraqitjet e tij publike, Sela ka bërë të ditur se do të respektojë vendimin e Apelit, por njëkohësisht ka theksuar se veprimet e tij politike do të varen nga epilogu i këtij procesi. Në rast se vendimi del në favor të tij, ai do të vazhdojë aktivitetin politik brenda Aleancës për Shqiptarët. Në të kundërtën, ka paralajmëruar se do të vijojë me subjektin tashmë të regjistruar, “Lidhja Shqiptare”.
Partia e re, sipas Selës, tashmë ndodhet në regjistrin qendror, që prej para zgjedhjeve lokale.Paralelisht me këtë proces gjyqësor, Sela ka nisur edhe përgatitjet për riorganizimin e brendshëm të strukturave partiake. Ai tashmë ka shpallur mbajtjen e kongresit të partisë, i planifikuar për muajin maj, ndërsa aktualisht fokusi mbetet në konsolidimin dhe rifunksionalizimin e strukturave në terren. Kjo periudhë konsiderohet vendimtare për të ardhmen politike të Selës./Alsat.mk.

