Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali ka marrë pjesë sot në promovimin e 100 veturave të reja të ndërmarrjes shtetërore Posta e Maqedonisë, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ai deklaroi se ky hap konkret pritet të lehtësojë ndjeshëm punën në terren dhe të rrisë cilësinë e shpërndarjes së dërgesave, të cilat përdoren çdo ditë nga një numër i madh qytetarësh.
“Sot mora pjesë në promovimin e 100 veturave të reja të SH.A. Posta e Maqedonisë. Kjo pritet të lehtësojë punën në terren dhe të përmirësojë shpërndarjen e dërgesave për qytetarët që i përdorin këto shërbime çdo ditë”, u shpreh Sali.
Sipas tij, investimi është realizuar në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Transportit dhe përbën një hap drejt modernizimit të shërbimeve postare në vend.
“Ky investim pritet të ndikojë në rritjen e efikasitetit dhe shpërndarjes më të shpejtë”, shtoi ai.
Autoritetet vlerësojnë se ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar infrastrukturën logjistike dhe për të rritur besueshmërinë e shërbimeve publike.

