Dibër, 22 korrik – Wi-Fi publik falas tashmë është i disponueshëm në Komunën e Dibrës. Qytetarët dhe vizitorët tani mund të lidhen me internet publik falas në lokacionin Qendra e Qytetit. Informacioni u bë i ditur nga udhëheqësia e Komunës së Dibrës.
Sipas informatave të pushtetit vendor, rrjeti Wi-Fi është vendosur në kuadër të iniciativës WiFi4WB, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, ndërsa zbatohet nga GIZ, si pjesë e projektit EU4Digital.
Qëllimi i kësaj iniciative është të ofrojë internet publik falas në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Komuna e Dibrës është një nga 500 komunat dhe qytetet në rajon që do të përfitojnë nga rrjeti WiFi4WB, sipas modelit të programit WiFi4EU, i cili ka mundësuar internet publik falas në më shumë se 7.000 lokacione në Bashkimin Evropian.
Të gjithë qytetarët dhe vizitorët mund të lidhen falas dhe të përdorin një lidhje të sigurt në internet.
Komuna e Dibrës potencon se kjo është një arritje shumë e madhe për komunën, banorët lokalë, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë Dibrën, si dhe për mërgimtarët e shumtë që kanë ardhur në vendlindje. “Me këtë mbështetje, Komuna e Dibrës vazhdon të përmirësojë shërbimet publike dhe të forcojë lidhjen digjitale të komunitetit lokal”, thuhet në informatën e Komunës së Dibrës.
Popullata, si edhe shoqatat qytetare, vlerësojnë se ky është një moment shumë domethënës për Dibrën dhe dibranët. Interneti falas është shumë i rëndësishëm jo vetëm për banorët e qytetit, por edhe për vizitorët. Modeli i programit WiFi4EU paraqet një moment historik për Dibrën, theksojnë përfaqësues të shoqatave qytetare që veprojnë në Dibër dhe në vendbanimet rurale të komunës. (koha.mk)

