Arkin Jahiji i AKI-së edhe zyrtarisht është fitues i zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës. Komisioni Shtetëror Zgjedhor e ka hedh poshtë ankesën e VMRO-DPMNE-së, sipas të cilës, në vendvotimin me numër 2038 në Çellopek ka patur parregullsi ditën e diel.
Edhe pse rezultati i zgjedhjeve të së dielës e nxorri fitues kandidatin e Arkin Jahijin, me 265 vota epërsi, ndërsa humbja ishte pranuar publikisht, VMRO-DPMNE dy ditë më parë ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve ankesë me të cilën kërkon anulimin e votimit në një vendvotim në Çellopek.
Ankesa është dorëzuar pak para përfundimit të afatit dhe ka të bëjë me vendvotimin 2038 në fshatin Çellopek, një nga vendvotimet ku Jahiji ka shënuar epërsi dërrmuese ndaj kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski.
Në këtë vendvotim kanë votuar gjithsej 411 qytetarë. Prej tyre, 391 kanë votuar për Arkin Jahijin, vetëm 13 për Stojanço Radiçevskin, ndërsa shtatë fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.
Siç raportoi gazeta KOHA, kontestimi lidhej me votimin e një gruaje të moshuar, e cila gjatë procesit të votimit është shoqëruar nga djali i saj. Pikërisht mbi këtë rast VMRO-DPMNE kërkon anulimin e votimit në të gjithë vendvotimin, çka, nëse pranohej sot nga KSHZ-ja, do të hapte rrugën për rivotim.
Megjithatë, ankesa e VMRO në mbledhjen e sotme të KSHZ-së nuk mori asnjë votë. (koha.mk)

