Ish-politikani Imer Selmani ka vlerësuar se transformimi i VLEN nga një koalicion në një parti të vetme politike do të ketë ndikim pozitiv si në funksionimin e brendshëm politik, ashtu edhe në jetën e qytetarëve.
Sipas Selmanit, përfituesi i parë i këtij procesi do të jetë vetë VLEN-i, i cili me unifikimin do të forcojë strukturën dhe kapacitetin e tij politik. Ai theksoi se ky zhvillim do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në qeverisje, duke lehtësuar procesin e komunikimit dhe vendimmarrjes mes partnerëve të koalicionit dhe kryeministrit.
“Me këtë transformim nga koalicioni në një parti politike, para së gjithash vetë VLEN-i do të ketë dobi. Pastaj edhe qeveria, në aspektin e vendimeve, pasi kryeministri së bashku me partnerët do ta kenë më të lehtë komunikimin dhe vendimmarrjen,” u shpreh Selmani.
Ai shtoi se në fund, përfitimet priten të reflektohen edhe tek qytetarët, duke theksuar se veprimi i VLEN-it nuk kufizohet vetëm në një segment, por shtrihet në të gjithë territorin e Maqedonia e Veriut.
Selmani nënvizoi se, duke qenë pjesë e qeverisë, çdo hap i VLEN-it ndikon drejtpërdrejt në zhvillimet shtetërore dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve në nivel vendi.

