Një analizë e bazuar në aktivitetin publik, projektet e prezantuara, investimet komunale dhe komunikimin institucional të komunave me shumicë shqiptare gjatë gjashtë muajve të fundit tregon dallime të dukshme në ritmin e zhvillimit dhe realizimin e projekteve në terren, raporon Open TV.
Sipas të dhënave të analizës, në krye të listës renditet Komuna e Haraçinë me 16.4 për qind, duke u veçuar për aktivitet të shtuar në projekte infrastrukturore, përmirësimin e rrugëve, shërbimeve publike dhe komunikimin me qytetarët. Analiza vlerëson se kryetari i komunës, Daut Beqiri, ka qenë ndër më aktivët në mesin e drejtuesve të komunave shqiptare.
Pas Haraçinës renditet Tetovë me 13.8 për qind, falë investimeve në projekte urbane, investime kapitale dhe zhvillimin e infrastrukturës së qytetit. Në vendin e tretë është Gostivar me 13.6 për qind, me fokus në përmirësimin e shërbimeve publike dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
Pozita e katërt i takon Çair me 13.3 për qind, ku janë evidentuar projekte për urbanizimin e lagjeve dhe përmirësimin e hapësirave publike. Në vendin e pestë renditet Likovë me 9.1 për qind, me theks në zhvillimin e infrastrukturës dhe zonave rurale.
Në grupin e komunave të tjera përfshihen Strugë, Zhelinë, Studeniçan, Dibër, Saraj, Bogovinë, Tearcë, Vrapçisht dhe Çashkë, të cilat së bashku përbëjnë 33.6 për qind të aktivitetit të evidentuar në analizë.
Analiza konstaton se gjatë kësaj periudhe është vërejtur një diferencim i qartë në intensitetin e projekteve dhe aktiviteteve komunale. Disa komuna kanë shfaqur dinamikë më të lartë zhvillimi dhe investimesh, ndërsa të tjera kanë avancuar me ritëm më të moderuar, në varësi të kapaciteteve buxhetore dhe prioriteteve lokale.
Autorët theksojnë se bëhet fjalë për një pasqyrë mediatike të bazuar në aktivitetet dhe zhvillimet e raportuara publikisht gjatë gjashtë muajve të fundit dhe jo për një indeks zyrtar të performancës së komunave.

