Aquaparku që është pjesë e Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup nuk do të hapet as këtë verë. Sipas drejtorit të qendrës sportive, Daniel Apostolovski, objekti dhe pajisjet kanë nevojë për një rinovim të plotë, por këtë vit nuk ka mjete financiare për një investim të tillë, transmeton Portalb.mk.
“E trashëgova Aquaparkun në një gjendje të mjerueshme. Nevojiten rreth një milion euro për rikonstruksionin e tij, ndërsa këtë vit jemi të fokusuar në renovimin e pishinës. Fatkeqësisht, edhe këtë verë parku do të mbetet i mbyllur”, tha Apostolovski.
Aquaparku është i mbyllur që nga viti 2024 dhe nuk gjeneron asnjë të ardhur. Sipas raportit të auditimit për punën e Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”, vendimi për mbylljen është marrë për shkak të mungesës së leverdishmërisë ekonomike dhe skadimit të garancisë dhjetëvjeçare për pajisjet dhe atraksionet.
Në vitin 2023, Aquaparku realizoi të ardhura prej 4.29 milionë denarësh, që është 41% më pak se sa ishte planifikuar.
Aquaparku u hap në vitin 2015, para fillimit të sezonit veror. Ai përfshin 10 toboganë, një pishinë për fëmijë, një pishinë me valë, një lumë artificial të qetë (“lazy river”), një ndërtesë administrative dhe një kafene.

