Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në Forumin Rajonal kushtuar forcimit të integritetit publik, së bashku me përfaqësues institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Në fjalën e tij, Gashi ka theksuar se korrupsioni përbën rrezik të shumëfishtë për shoqërinë.

“Korrupsioni nuk është vetëm shkelje ligjore, por një dëm moral dhe institucional që cenon besimin, zhvillimin dhe konsolidimin e shoqërisë,” deklaroi ai.

Kryeparlamentari nënvizoi angazhimin e Kuvendit në këtë drejtim, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të shëndoshë të institucioneve.

“Integriteti nuk matet me deklarata, por me mënyrën si funksionon shteti, si ndërtohen marrëdhëniet me qytetarët dhe si projektohen reformat,” tha Gashi.

Ai falënderoi Qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë për organizimin e ngjarjes, duke e vlerësuar atë si një platformë që “forcon vizionin tonë të përbashkët për institucione më të përgjegjshme”.