Fotoreporteri palestinez Yousef Abu Saeed vazhdon të dokumentojë krimet izraelite në Gaza, pavarësisht nga ndërlikimet shëndetësore si pasojë e kancerit.
“Unë nuk e kam marrë kimioterapinë që nga dita e tretë e luftës që nga 7 tetori”, tha Abu Saeed për Anadolu.
“E zbulova kancerin vetëm një muaj para shpërthimit të luftës dhe mora vetëm dy doza të trajtimit dhe rezultatet ishin pozitive”, tha ai.
Ai shtoi se shënjestrimi më 31 tetor i Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze, i vetmi spital për trajtimin e kancerit në Rripin e Gazës, i pengoi pacientët me kancer të merrnin trajtim mjekësor.
Në një deklaratë të mëparshme, drejtori i spitalit, Subhi Skaik, tha se që prej daljes nga shërbimi, 10 mijë pacientë me kancer kanë jetuar në rrethana çnjerëzore, ndërsa Gaza përballet me mungesë të ilaçeve dhe trajtimit.
“Vuajtjet e luftës i mposhtin vuajtjet e pacientëve me kancer, pasi nuk ka vend për të menduar për sëmundjen”, tha Abu Saeed.
Ai theksoi se mungesa e një spitali të specializuar për pacientët me kancer i privon ata nga trajtimi i duhur dhe përkeqëson gjendjen e tyre shëndetësore.
Abu Saeed gjithashtu vuri në dukje se zhvendosja prek veçanërisht pacientët me kancer dhe ata me imunitet të ulët pasi në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës njerëzit po jetojnë në dendësi të lartë, krahas përballjes me mungesë të kushteve të duhura shëndetësore.
Numri i palestinezëve të zhvendosur në Rafah është rritur në 1,3 milion, ndërsa popullsia e tij para 7 tetorit nuk ishte më shumë se 300 mijë.
Ushtria izraelite ka zhvilluar një luftë shkatërruese në Gaza që nga 7 tetori i vitit të kaluar, duke rezultuar në 24.620 të vdekur e 61.830 të plagosur dhe duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 85 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës, sipas autoriteteve palestineze dhe OKB-së.