Programi është për përdorim civil, por nga marrëveshja bërthamore Mbretëria mund të fitojë edhe të drejtën për pasurimin e uraniumit. Kjo ngre shqetësime serioze për përhapjen e teknologjisë bërthamore
Donald Trump ka kërcënuar sërish se do të godasë ura dhe objekte energjetike në Iran – madje edhe në kryeqytetin Teheran – sa herë që regjimi iranian sulmon një anije në Ngushticën e Hormuzit.
Irani është përgjigjur duke deklaruar se, për çdo infrastrukturë iraniane që goditet, do të hakmerret ndaj objekteve dhe impianteve energjetike në vendet e Gjirit Persik. Këto të fundit janë tashmë objektiv i sulmeve me dronë dhe raketa iraniane, si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve amerikane, të cilat vazhduan edhe për natën e njëmbëdhjetë radhazi. Ndërkohë, presidenti amerikan ka dhënë dritën jeshile për një marrëveshje, e cila ishte negociuar gjatë javës së kaluar dhe u firmos dje nga sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright. Marrëveshja i jep Arabisë Saudite mundësinë të zhvillojë një program bërthamor për qëllime civile dhe, potencialisht, i hap rrugën edhe pasurimit të uraniumit brenda territorit të saj.
Lajmi ishte publikuar paraprakisht nga Wall Street Journal dhe New York Times. Bëhet fjalë për një marrëveshje me vlerë të vlerësuar në dhjetëra miliarda dollarë. Ajo u jep kompanive amerikane një rol qendror në ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës bërthamore saudite për 30 vitet e ardhshme.
URANIUMI TË PASUROHET NË ARABINË SAUDITE
Këto kompani mund të ndërtojnë edhe një impiant për pasurimin e uraniumit, por vetëm nëse një studim i përbashkët amerikano-saudit, që do të zgjasë rreth dy vjet, arrin në përfundimin se është ekonomikisht më e leverdishme që uraniumi të pasurohet në Arabinë Saudite, në vend që lënda djegëse bërthamor të blihet jashtë vendit. Nëse studimi jep një rezultat pozitiv, impiantet do të ndërtohen nga kompanitë amerikane, pa transferuar teknologji të ndjeshme tek Arabia Saudite. Nëse Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë më vonë këtë hap, Riadi nuk do të ketë të drejtë, për një periudhë 10-vjeçare, të ndërtojë vetë ose me partnerë të tjerë të huaj impiante për pasurimin e uraniumit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo formulë u garanton SHBA-ve ndikim të vazhdueshëm mbi programin bërthamor saudit dhe shërben si një mekanizëm për të parandaluar përdorimin e tij për qëllime ushtarake.
Megjithatë, në Kongresin amerikan, si republikanë ashtu edhe demokratë, ka zëra që kundërshtojnë prej kohësh përhapjen e teknologjisë bërthamore në Lindjen e Mesme. Megjithatë, do të jetë e vështirë që marrëveshja të bllokohet. Për ta rrëzuar atë do të nevojitej një rezolutë e përbashkët e Kongresit, e miratuar me shumicë prej dy të tretash, nëse do të ishte e nevojshme të kapërcehej një veto e mundshme presidenciale. Lufta me Iranin ka krijuar tensione mes Uashingtonit dhe Riadit, por kjo marrëveshje synon të forcojë marrëdhëniet strategjike, duke shmangur rrezikun që Arabia Saudite t’i drejtohet Rusisë ose Kinës për zhvillimin e programit të saj bërthamor.
QEVERIA AMERIKANE MBRON MARRËVESHJEN
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të zbusë kritikat ndaj marrëveshjes. I pyetur nga gazetarët për rrezikun se ajo mund të nxisë një garë të re bërthamore në një rajon mjaft të paqëndrueshëm, ai deklaroi: “Shtetet e Bashkuara nuk do të lidhin me asnjë vend në botë një marrëveshje që krijon rrezik për përhapjen e armëve bërthamore”.
Sipas burimeve qeveritare, marrëveshja nuk përfshin Protokollin Shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), i cili parashikon mekanizma më të zgjeruar monitorimi, inspektimi dhe kontrolli. Kjo mungesë ka shtuar shqetësimet e kritikëve, të cilët kërkojnë garanci më të forta për të parandaluar çdo përdorim ushtarak të programit bërthamor. Arabia Saudite nuk ka aktualisht program të armëve bërthamore, por po fuqizon përdorimin civil të energjisë atomike.
REAGON ASHPËR IZRAELI
Megjithatë, nëse marrëveshja nuk përmban kufizime të forta dhe mekanizma efektivë kontrolli, ajo mund të rrisë rrezikun e përhapjes së armëve bërthamore.
Nga Izraeli kanë ardhur reagime të forta shqetësimi. Përfaqësues të shumicës qeverisëse dhe të opozitës kanë deklaruar se shteti hebre duhet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Për princin e kurorës, Mohammed bin Salman, kjo është një fitore e madhe. Prej vitesh ai kërkon një marrëveshje të tillë për të diversifikuar ekonominë saudite, e cila vazhdon të mbështetet kryesisht tek nafta. Administrata Biden ishte e gatshme ta pranonte një marrëveshje të ngjashme vetëm në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit. Vetë Mohammed bin Salman kishte deklaruar që në vitin 2018 se, nëse Irani do të zhvillonte armë bërthamore, Arabia Saudite do të ndiqte të njëjtën rrugë.
Ndryshe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite ka refuzuar të marrë angazhimin për të mos pasuruar uranium në territorin e saj dhe për të mos ripërpunuar karburantin e përdorur nga reaktorët bërthamorë.
Një precedent i tillë mund të shtyjë edhe vende të tjera të rajonit, si Emiratet, Turqinë dhe Egjiptin, të kërkojnë të njëjtin trajtim. Arabia Saudite ka refuzuar gjithashtu të pranojë Protokollin Shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), i cili parashikon inspektime shumë më të rrepta të objekteve bërthamore. Dhe lind pyetja: nëse Arabia Saudite përfiton kushte më të favorshme, përse Irani duhet të pranojë kufizime më të ashpra se rivali i tij kryesor rajonal?

