Komuna e Çairit ka njoftuar organizimin e Javës së Mësimit të Notit për Fëmijë, në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”. Programi do të nisë më 15 gusht dhe do të ofrohet pa pagesë, me synim që fëmijët të mësojnë teknikat bazë të notit dhe të nxitet aktiviteti fizik si pjesë e një jetese të shëndetshme.
Programi është i dedikuar për fëmijët e grupmoshave 7 deri në 8, 9 deri në 10 dhe 11 deri në 12 vjeç. Grupet do të jenë të përziera, me vajza dhe djem, ndërsa secila orë mësimore do të ketë maksimum 30 pjesëmarrës.
Trajnimet do të zhvillohen nga dy instruktorë të notit, nën mbikëqyrjen e katër profesorëve nga Universiteti “Nënë Tereza”.
Për pjesëmarrje, fëmijët duhet të kenë me vete veshjen e notit, kapelën dhe syzet e notit.
Komuna bën të ditur se numri i vendeve është i kufizuar dhe u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që t’i regjistrojnë fëmijët me kohë përmes formularit online në: https://cair.gov.mk/apliko.

