Qetësimi i përkohshëm i tensioneve ushtarake dhe përparimi i bisedimeve diplomatike për Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar menjëherë në rënien e çmimit të karburanteve.
Sinjalet e para të zbutjes së luftimeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë dhënë menjëhetë një efekt pozitiv në bursat ndërkombëtare të lëndëve djegëse. Çmimi i naftës bruto ka shënuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur pranë nivelit të 90 dollarëve për fuçi, pas javësh të tëra luhatjesh dramatike dhe rritjesh alarmante.
Ndërprerja e përkohshme e sulmeve ajrore nga ana e SHBA-së dhe nisja e bisedimeve diplomatike nëpërmjet ndërmjetësimit të Omanit kanë rikthyer optimizmin te investitorët se furnizimi global me energji mund të stabilizohet.
Bisedimet për Ngushticën e Hormuzit ulën presionin
Problemet ekonomike dhe frika e një krize globale të energjisë ishin rritur ndjeshëm që nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, pikës kyçe detare përmes së cilës kalon rreth një e pesta e konsumit botëror të naftës.
Megjithatë, njoftimet se diplomacia po punon për krijimin e një mekanizmi sigurie për lundrimin e anijeve tregtare në këtë korridor ulan menjëherë nivelin e riskut në bursa.
Çfarë do të thotë kjo për tregun tonë
Stabilizimi dhe rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare (çmimi Brent) pritet të reflektohet shpejt edhe në tregun vendas.
Ekspertët e ekonomisë shprehen se nëse kjo pauzë ushtarake do të shndërrohet në një marrëveshje afatgjatë për hapjen e rrugëve tregtare, konsumatorët në gjithë botën do të shohin një ulje graduale të çmimeve në pikat e karburantit, pas rritjes së njëpasnjëshme që kishte rënduar xhepat e qytetarëve gjatë muajve të fundit.
Sidoqoftë, analistët paralajmërojnë se tregu mbetet ende tejet i brishtë dhe çdo rindezje e mundshme e përplasjeve ushtarake mund t’i rikthejë çmimet e karburantit në nivele rekord.

