Besar Durmishi nga Lëvizja BESA ka marrë funksionin e ministrit të Ekonomisë.
“Nga sot do të fillojmë të zbatojmë me përpikshmëri çdo premtim ndaj qytetarëve, çdo pikë të programit të VLEN-it dhe programit qeveritar.
Qytetarët presin jetë më të mirë e të denjë. Ne angazhohemi që të kthejmë besimin e popullit në institucione dhe të dëshmojmë se populli VLEN.
Fillojmë me premtimin që çdo qytetar të ketë vend të garantuar të punës sipas profilit të tij profesional dhe me pagë sa më të lartë.
Të hapim sa më shumë vende të reja të punës, të cilat do të mbajnë rininë në vendlindje duke pasur një jetë sa më të mirë e dinjitoze.
Për bizneset do të krijojmë klimë sa më të volitshme për zhvillim dhe investime. Do të lehtësojmë procedurat administrative. Kompanitë vendase do të subvencionohen që të kthejnë në vendlindje edhe kuadrot më të mirë që kanë braktisur vendin, ndërsa për kompanitë e huaja do të sigurojmë rrethana sa më lehtësuese për investim dhe konkurrencë korrekte.
Populli nuk meriton zhvatje e denigrim, por meriton suksese e ardhmëri të sigurt. Kalojmë në Veprim!”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.