Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin masivisht në votime në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes për përfaqësimin politik të shqiptarëve, transmeton Zyrtare.net
Përmes një postimi, Sali tha se raportimet nga Serbia flasin për dalje të madhe në votime që në orët e para të mëngjesit, duke e cilësuar pjesëmarrjen e lartë si një mundësi për demokratizimin e vendit dhe për një të ardhme më të mirë.
Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote, pavarësisht vendbanimit, që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë.
Sali gjithashtu u bëri thirrje votuesve që të mbështesin numrin 17, Koalicionin Shqiptar, të cilin e cilësoi si listë të unifikimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve.
„Sot na bashkon identiteti, na bashkon përgjegjësia dhe na bashkon e ardhmja. Le ta dëshmojmë unitetin tonë me pjesëmarrje sa më të madhe, sepse çdo votë ka rëndësi“, shkroi Sali.
Ai e përmbylli thirrjen me mesazhin për të dalë në votime për dinjitetin e shqiptarëve, demokratizimin e vendit dhe të ardhmen e brezave të rinj./Zyrtare.net/

