Bekim Sali në Vjenë: “E ardhmja evropiane duhet të sjellë mundësi të prekshme për qytetarët”

1 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri Bekim Sali ka marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Vjenë, me ftesë të ministres austriake Claudia Bauer. Në fokus të diskutimeve ishte perspektiva evropiane e rajonit, mundësitë për të rinjtë dhe përfitimet konkrete nga integrimi gradual në Bashkimin Evropian.

“Sot në Vjenë mora pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, me ftesë të ministres austriake Claudia Bauer.

Në diskutimet me kolegët theksova se e ardhmja evropiane duhet të sjellë mundësi të prekshme për qytetarët tanë që sot. Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë: më shumë mundësi për studim, aftësim profesional, kërkim shkencor dhe shkëmbime me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.

Integrimi gradual mund të sjellë përfitime konkrete përmes lidhjeve më të mira tregtare, pagesave më të lehta, bashkëpunimit digjital dhe pjesëmarrjes më të gjerë në programet e BE-së. Këto hapa duhet të ecin krahas reformave dhe të na afrojnë drejt anëtarësimit të plotë.

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane. Qytetarët tanë meritojnë një proces të drejtë dhe të parashikueshëm, ku përparimi në reforma merr përgjigjen që i takon.

Falënderoj Austrinë për mikpritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Sali.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull