BDI do të protestojë për emrat në Tetovë, por “Marshall Tito” përdorej edhe në kohën e Teuta Arifit

4 Min. Leximi

Ndonëse zyrtarisht nuk është paraqitur në polici, BDI-ja do t’i prijë protestës në Tetovë, e cila është paralajmëruar për të premten, për të shprehur pakënaqësinë lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilën u abrogua vendimi i Këshillit të Komunës në vitin 2007 për ndryshimin e emrave të rrugëve. Nga integristët thonë se ata do ta koordinojnë marshin protestues i cili do të fillojë nga Sheshi “Iliria” që sipas vendimit të fundit quhet “Marshall Tito”, deri tek objekti i Komunës së Tetovës.

“Dega e BDI-së në Tetovë ka marrë përsipër koordinimin e marshit qytetar, i cili nuk është partiak, por qytetar dhe i hapur për të gjithë ata që ndjejnë se duhet të mbrohet dinjiteti dhe identiteti i Tetovës”, deklarohen nga BDI për Alsat.

BDI del në rrugë pas një fushate me fjalor të ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila i shfuqizoi emrat e ndryshuara në kohën ë Hazbi Likës nga BDI, pasi vendimi është miratuar pa pajtimin e domosdoshëm të qeverisë së atëhershme VMRO-PDSH. Pikërisht për këtë, për 19 vite, 11 emrat e ndryshuar nuk janë përdorur nëpër institucionet shtetërore meqë nuk janë regjistruar në Regjistrin Qendror. Prandaj, ndonëse komuna i ka përdorur për nevoja ceremoniale e të brendshme, qytetarët nëpër dokumentet e tyre kanë vazhduar të mbajnë emrat e vjetër nga personazhet komuniste. Pos kësaj, të gjitha korrespodencat e komunës me institucionet shtetërore janë zhvilluar me emrat e vjetër.

Përtej kësaj, BDI që sot shpreh revoltën nën sloganin “Historia nuk abrogohet”, nëse shfleton historikun e komunës, mund të gjejë dokumente ku vetë komuna e cila është udhëhequr në dy mandate nga kuadri i tyre Teuta Arifi, ka përdorur emrat e vjetër.

Shembull konkret është ky i vitit 2015-të, kur në Fletoren Zyrtare të Komunës, derisa përshkruhet Plani Detal Urbanistik për Bllokun urban numër 53, përdoren emrat e vjetër “Marshall Tito” në vend “Iliria”, por edhe JNA në vend të “Dervish Carës”, shkruan Alsat.

Rast tjetër gjithashtu në kohën e Teuta Arifit nga BDI, gjithashtu është edhe Fletorja Zyrtare e shkurtit të vitit 2017-të, kur në Fletoren Zyrtare të Komunës së Tetovës shpallet vendimi për ndryshim dhe plotësim të Planit të Përgjithshëm Urbanistik për Bllokun urban 56 dhe 57 për periudhën 2015-2025.

Ndonëse asokohe kishin kaluar 10 vite që kur Këshilli i Komunës kishte ndryshuar emrat e rrugëve, siç mund të shihni në Fletore Zyrtare përdoret emri “29 Nëntori” në vend të “Mehmet Pashë Deralla” ose “Marshall Tito” në vend “Iliria”.

Për realitetin lidhur me përdorimin e rrugëve kanë qenë të vetëdijshme dhe të njoftuara të gjitha partitë shqiptare, e sidomos BDI e cila ka pasur kryetar Hazbi Likën në kohën kur është bërë ndryshimi, pra deri në vitin 2009, pastaj PDSH me Sadi Bexhetin 2009-2013, pastaj sërish BDI me Teuta Arifin dy mandate 2013-2021, por edhe Bilall Kasami prej vitit 2021 e deri më sot. Kasami madje kishte kohë për ta ndryshuar këtë realitet, meqë kishte qenë i njoftuar për procedurën në Kushtetuese, megjithatë nuk e ka bërë./Alsat.mk.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull