Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka bërë të ditur se sot ka marrë pjesë në takimin e pestë të Grupit të punës për hartëzimin dhe thjeshtimin e 100 procedurave administrative, reformë që është pjesë e Agjendës reformuese të Qeverisë.
Sipas Durmishit, qëllimi i reformës është krijimi i një administrate më efikase dhe më funksionale për sektorin e biznesit.
“Kjo reformë është drejtpërdrejt e lidhur me krijimin e një administrate më efikase, më të shpejtë dhe më të parashikueshme për kompanitë. Qëllimi ynë është i qartë, të zvogëlojmë barrën administrative, të shkurtojmë kohën për veprim dhe të lehtësojmë procedurat për sektorin e biznesit”, deklaroi Durmishi.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një proces kompleks dhe gjithëpërfshirës, i cili përfshin bashkëpunimin e 14 institucioneve shtetërore.
“Ky është një proces kompleks dhe horizontal që përfshin 14 institucione, por besoj se me koordinim, angazhim dhe qasje partneriteti do të arrijmë t’ia dalim të realizojmë reformën brenda afatit të planifikuar, madje edhe më herët”, u shpreh ministri.
Durmishi paralajmëroi se nga java e ardhshme do të nisin takime të drejtpërdrejta pune me ministrat, drejtorët dhe institucionet kompetente për të përcaktuar procedurat që do të thjeshtohen.
“Tashmë nga java e ardhshme, do të fillojmë takime të drejtpërdrejta pune me institucionet dhe ministrat dhe drejtorët kompetentë, me qëllim që të përcaktojmë së bashku procedurat që do të thjeshtohen dhe mënyrat e realizimit të tyre”, tha ai.
Në fund, ministri i Ekonomisë dhe Punës theksoi se institucionet mbeten të përkushtuara ndaj reformave që, sipas tij, sjellin përfitime konkrete për ekonominë dhe qytetarët.
“Mbetemi të përkushtuar ndaj reformave që sjellin përfitime reale për kompanitë, ekonominë dhe qytetarët”, përfundoi Durmishi.

