Banorët e fshatrave Pagarushë dhe Vërtekicë në Komunën e Studeniçanit kanë bllokuar sërish rrugën për kamionët e rëndë që transportojnë material nga zona ku shfrytëzohet guri gëlqeror, raporton 4news.mk.
Sipas banorëve, kalimi i përditshëm i automjeteve të rënda ka dëmtuar asfaltin, ka shtuar pluhurin dhe zhurmën, ndërsa paraqet rrezik edhe për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët.
Çështja është ngritur edhe në Kuvend, ku deputeti Rexhep Ismail kritikoi institucionet për moszgjidhjen e problemit.
Nga Komuna e Studeniçanit më herët kanë bërë të ditur se ekziston projekt për rikonstruksionin e rrugës, por ende nuk ka marrëveshje konkrete për sanimin e dëmeve.
Banorët paralajmërojnë se bllokadat do të vazhdojnë derisa të ndalohet transporti i rëndë nëpër fshatra ose të sigurohet një rrugë alternative.

