Deputetja dhe nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetes së BDI-së, Arban Pasholli lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali gjatë mbledhjes së Këshillit nacional për integrime evropiane.
Duke folur sonte në emisionin “Debat në Shenja”, Musa deklaroi se funksionarët e BDI-së edhe gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, në takime bilaterale kanë zgjedhur të komunikojnë në gjuhën maqedonase, madje edhe kur në takim nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të palëve të treta.
Ajo tha se nuk mund të fokusohet debati vetëm në raste të veçanta, kur sipas saj, anashkalimi i gjuhës shqipe ka ndodhur edhe në të kaluarën nga vetë funksionarët e BDI-së.
“Ne jemi vetë dëshmitarë se në takime bilaterale, kur ka pasur funksionarë të BDI-së, kanë zgjedhur që mes vete të komunikojnë në gjuhën maqedonase. Domethënë, ne nuk mundemi për raste specifike të lidhemi dhe të themi se këta po e anashkalojnë gjuhën shqipe. Gjuha shqipe në vazhdimësi është anashkaluar nga funksionarët e BDI-së”, deklaroi Musa.
Ajo shtoi se, sipas saj, ekzistojnë edhe video-incizime që dëshmojnë raste kur funksionarë të BDI-së kanë komunikuar në gjuhën maqedonase edhe mes vete, “pa praninë e palëve të tjera”.

