Udhëtari i parë turk në hapësirë, Alper Gezeravci u takua me familjen e tij në Houston të SHBA-së, pasi kapsula Dragon e SpaceX u ul me sukses dje pranë brigjeve të Floridës, raporton Anadolu.
Kapsula Dragon e SpaceX që mbante ekuipazhin Ax-3, zbarkoi dje në oqean në brigjet e Floridës. Pas kontrolleve fillestare të sigurisë nga personeli i SpaceX, kapsula u ngrit në një anije rikuperimi dhe ekuipazhi u zbarkua nga anija kozmike.
Në anije, anëtarët e ekuipazhit hodhën hapat e tyre të parë pas rreth tre javësh të kaluar në kushte të gravitetit zero. Ekuipazhi më pas, pesë deri në gjashtë orë pas kthimit nga hapësira, arriti në destinacionin e tij në Houston, në shtetin amerikan të Teksasit.
Gezeravci u prit në aeroport nga familja e tij dhe astronauti do të qëndrojë në vëzhgim për një javë për të përfunduar procesin e adaptimit.
Ekuipazhi i Ax-3 u largua nga ISS më 7 shkurt në orën 17:20 sipas kohës lokale. Kapsula Dragon që mbante ekuipazhin Ax-3, u nis me sukses nga Qendra Hapësinore e NASA-s Kennedy në Florida më 18 janar në orën 16:49 me orën lokale.
Ekuipazhi Ax-3, udhëtimi i të cilit zgjati afërsisht 36 orë, arriti në ISS më 20 janar.
Gjatë qëndrimit të tyre dy javor në stacion, piloti i Forcave Ajrore Turke, koloneli Alper Gezeravci dhe tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit nga Spanja, Italia dhe Suedia kryen mbi 30 eksperimente shkencore, rreth gjysma e të cilave u kryen nga vetë Gezeravci.