Arsovska – Mickoskit: Nëse nuk më lejoni t’i blej, porositni autobusët e rinj për në Shkup

2 Min. Leximi

Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska i ka dërguar sot një letër kryeministrit Hristijan Mickoski duke kërkuar që të ndalojë bllokadën dhe të blejë vetë autobusët e rinj nëse nuk dëshiron që të njëjtët të kalojnë përmes Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Reagimi i Arsovskës vjen pasi dje këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk votuan për blerjen e autobusëve të rinj, për këtë arsye nuk pati shumicë dhe vendimi nuk kaloi.

- Advertisement -

Pro këtij vendimi votuan të gjitha grupet e tjera të këshilltarëve, por pa votat e VMRO-DPMNE-së nuk ka shumicë në Këshill.

“Si kryetar i Qeverisë dhe lider i VMRO-DPMNE-së në pushtet, ju thërras dhe ju kërkoj që të arsyetoni veprimet e këshilltarëve nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni juaj në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe e paarsyeshme që qytetarët e kryeqytetit të jenë viktima të 23 personave”, tha Arsovska.

Ajo theksoi se qytetarët nuk duhet të jenë viktima të ambicieve politike të individëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Ajo i bën thirrje Mickoskit, nëse nuk mund t’i bindë këshilltarët në Qytetin e Shkupit që të votojnë për blerjen e autobusëve të rinj, këtë ta bëjë Qeveria.

- Advertisement -

“Porosisni autobusë për në kryeqytet. Nëse Qeveria nuk ka mjete për këtë qëllim, ne jemi të gatshëm me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit që mjetet e nevojshme t’i transferojmë në llogari të veçantë, kurse ju ta kryeni blerjen. Nëse kjo është e pranueshme, sugjeroj që të caktohet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit të mërkurën, më 4 shtator, në të cilën bashkërisht do të vendosim për blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë ”, shtoi Arsovska.

Ndryshe, ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se nga pozita e liderit të VMRO-DPMNE-së do të kërkojë nga këshilltarët në Qytetin e Shkupit nga radhët e partisë së tij që t’i mbështesin programet, siç kërkoi kryetarja Danela Arsovska.

Ndryshe Shkupi është në kaos me transportin publik, ndërsa Qyteti i Shkupit dhe Qeveria vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull