Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se në Nju Jork ka zhvilluar bisedë me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke e vlerësuar takimin si të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe SHBA-së.
“Në Nju Jork bisedova me sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio. Këto bisedime kanë një rëndësi të veçantë dhe përfaqësojnë një konfirmim të rëndësisë së partneritetit strategjik dhe dialogut të vazhdueshëm politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi kryeministri.
“Komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel të lartë politik është një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e qëndrimeve mbi çështjet me interes të përbashkët, për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për forcimin e mëtejshëm të pozitës sonë si aleat i qëndrueshëm dhe i besueshëm”, theksoi Mickoski.
Në postimin e tij, kryeministri iu referua edhe kontekstit aktual gjeopolitik, duke theksuar se në një periudhë sfidash serioze, partneritetet e forta dhe dialogu i hapur me aleatët strategjikë kanë një rëndësi të veçantë.
Ai tha se Maqedonia ka interesa shtetërore të përcaktuara qartë dhe se vazhdon t’i përfaqësojë ato “me dinjitet dhe parim” në bashkëpunim me partnerët e saj strategjikë.
“Vazhdojmë ta forcojmë partneritetin strategjik maqedono-amerikan dhe të krijojmë mundësi të reja”, ka shkruar Mickoski.

