Arrestohet ish-kryetari i FFM-së, Muamed Sejdini: Dyshohet për keqpërdorimin e 700.000 eurove të UEFA-s

3 Min. Leximi

Sot është arrestuar ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, mëson “Fokus”.

Ai dyshohet për përvetësim të 700.000 eurove, mjete të ndara nga UEFA për FFM-në për mbështetje dhe ndërtimin e një tribune në Ohër.

Aksioni po zhvillohet nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë.

Nga MPB njoftojnë se është realizuar një aksion së bashku me Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamenti i Policisë Kriminale, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, e privuan nga liria M.S. për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim”, njoftuan nga MPB.

Me informacion fillestar doli edhe Prokuroria.

“Në kuadër të një lënde të formuar në PTHP Shkup, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamenti i Policisë Kriminale privuan nga liria një person për shkak të veprimeve që ngrenë dyshime për kryerjen e veprave penale, përvetësim dhe keqpërdorim. Ende po ndërmerren veprime me urdhër të prokurorit publik, ndërsa më shumë detaje për rrjedhën e mëtejshme të procedurës do të ndahen pas përfundimit të veprimeve që janë në vijim”, thuhet nga Prokuroria.

Muamed Sejdini ishte në krye të FFM-së për dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025.

Së fundmi, ai ishte pezulluar për dy vite për shkak të “mashtrimit dhe vënies në lajthitje të Bordit Drejtues”.

“Është konstatuar se Bordi i Emergjencës i FFM-së në nëntor 2024 kishte marrë vendim për pranimin e ofertës nga DPTU ‘EnergoInvest Trejd DOO Shkup’ për ndërtimin e një tribune në stadiumin ‘Biljanini Izvori’ në Ohër, në vlerë prej 202.919.610,00 denarë pa TVSH, pa kusht për pagesë paraprake dhe e kishte autorizuar atëherë kryetarin Muamed Sejdini të nënshkruajë kontratë në përputhje me ofertën e pranuar. I njëjti vendim më vonë ishte konfirmuar edhe nga Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Pavarësisht kësaj, vetëm një javë më vonë, Muamed Sejdini, duke keqpërdorur pozitën e tij, ka nënshkruar kontratë me kusht të futur për pagesë paraprake prej 20 për qind, i cili nuk ishte pjesë e ofertës së pranuar, me ç’rast avansi është paguar pa garanci bankare dhe pa autorizim përkatës”, njoftuan më herët nga FFM.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull