ALI AHMETI LIDERI LEGJITIM PËR MBROJTJEN E LUFTËS SË UÇK-SË!

5 Min. Leximi

Shkup, 15 shtator – Deklarata e fundit e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në mbështetje të Luftës Çlirimtare të Kosovës vjen në një moment të ndjeshëm kur përballja me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë po rihap plagë të vjetra dhe po ringjall debatin mbi legjitimitetin e luftës dhe të veprimtarisë së UÇK-së. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook, Ahmeti jo vetëm kujtoi rolin e UÇK-së si forcë çlirimtare por e pozicionoi veten si i vetmi lider shqiptar nga Maqedonia e Veriut që e mbron hapur pa ekuivoke kauzën e luftëtarëve të lirisë, shkruan Zhurnal.

Luftën e bëjnë luftetarët por duhet ta mbrojnë të gjithë –

- Advertisement -

Lufta e UÇK-së është një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar në fund të shekullit XX. E nisur si një rezistencë ndaj shtypjes së regjimit serb ajo u transformua në një konflikt të armatosur që me gjithë sakrificat e mëdha solli ndërhyrjen e NATO-s dhe më pas shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, Ahmeti e quan luftën “të drejtë, çlirimtare dhe të mbështetur nga bota demokratike”. Ky është një konstatim i pamohueshëm historik pasi ndërhyrja e Perëndimit i dha legjitimitet ndërkombëtar kauzës shqiptare.

- Advertisement -

Deklarata e Ahmetit ka një peshë të veçantë për faktin se ai vetë ka qenë pjesë aktive e UÇK-së, dhe më pas lider i Luftës së vitit 2001 në Maqedoni, ku u themelua Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK-M). Në këtë kuptim, mbrojtja e luftës nuk është vetëm një qëndrim politik, por edhe një pozicionim personal, identitar dhe moral. Megjithatë, fakti që Ahmeti është i vetmi lider shqiptar nga RMV-ja që artikulon me forcë këtë mbështetje tregon edhe një boshllëk në spektrin politik shqiptar të vendit. Shumë liderë të tjerë, për arsye pragmatike apo frike nga etiketimi zgjedhin të heshtin.

Kjo e bën Ahmetin të dallojë si zë unik në mbrojtje të një narrative kombëtare por në të njëjtën kohë e ekspozon ndaj kritikave të brendshme. Kundërshtarët mund ta interpretojnë këtë qasje si tentativë për të ringjallur kapitalin politik të tij në një kohë kur BDI po përballet me sfida të brendshme dhe konkurrencë të shtuar nga parti të reja shqiptare.

Çfarë po ndodhë në Hagë?

Në një kohë kur Gjykata Speciale në Hagë po gjykon ish-krerët e UÇK-së mbi akuza të rënda për krime lufte, mbështetja e hapur e Ahmetit e zhvendos debatin nga juridiku te politikja. Ai e denoncon procesin si të ndikuar nga “akuza politike dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia”. Ky është një mesazh i qartë që rezonon jo vetëm me opinionin publik shqiptar, por edhe me diasporën e cila ka qenë gjithmonë faktor kyç në mbështetjen e çështjes kombëtare.

Ky pozicionim bart edhe rrezikun e përplasjes me narrativat ndërkombëtare të cilat përpiqen të ruajnë një balancë të brishtë mes drejtësisë dhe legjitimitetit të luftës. Kjo është arsyeja pse shumë liderë të tjerë shmangin të flasin me gjuhën e drejtpërdrejtë të Ahmetit.

Qëndrimi i Ali Ahmetit në Facebook është më shumë se një status ai është një akt politik dhe simbolik që e lidh të shkuarën me të tashmen. Në një kohë kur drejtësia ndërkombëtare po teston kufijtë e narrativës kombëtare shqiptare, Ahmeti del si i vetmi lider shqiptar nga Maqedonia e Veriut që e artikulon pa komplekse legjitimitetin e UÇK-së. Pyetja që mbetet është a do të mjaftojë ky qëndrim për të ndikuar opinionin publik shqiptar dhe për të rikthyer vlerësimin e luftës si një kauzë e drejtë, apo do të shihet vetëm si një strategji politike e një lideri me të kaluar të lidhur fort me atë histori?

Kujtojmë që, Ali Ahmeti ishte pjesëmarrës në portestën masive të fundit të organizuar në Prishtinë në shenjë solidarizimi dhe mbështetje për krerët e luftës që po gjykohen në Hagë. /Zhurnal.mk

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull