Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj sulmit të armatosur ndaj kandidatit të kësaj partie dhe bartësit të listës për Komunën e Likovës, dr. Zekirija Shahini, duke e cilësuar ngjarjen si “akt të rëndë, të qëllimshëm dhe makabër”, që përbën “një alarm serioz për demokracinë dhe sigurinë publike në vend”.
Sipas deklaratës zyrtare, dr. Shahini është plagosur nga një person i maskuar që ka qëlluar me armë zjarri, ndërsa fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Vetë fakti që në mes të një fushate zgjedhore ndodh një atentat i tillë përbën shqetësim të thellë për rendin, sigurinë dhe demokracinë,” tha Ademi. Në reagimin e tij, nënkryetari i BDI-së theksoi se ky nuk është një rast i izoluar apo i rastësishëm, por një ngjarje që bart indikacione të forta për atentat politik.
“Ky nuk është një incident i zakonshëm, por një akt i rëndë dhe i qëllimshëm që synon të krijojë pasiguri, frikë dhe tension. E dënojmë ashpër këtë akt barbar dhe kriminal dhe kërkojmë reagim të menjëhershëm, serioz dhe transparent nga institucionet kompetente – veçanërisht nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike,” thuhet në deklaratë.
Ademi ka paralajmëruar se fshehja e së vërtetës, devijimi apo relativizimi i ngjarjes do të ishin “të papranueshme dhe të rrezikshme”. Ai theksoi se, ndonëse MPB ka raportuar se “dy persona në lëvizje kanë qëlluar me armë ndaj një automjeti”, dëshmitë nga terreni dhe pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë qartë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kandidatit të BDI-së.

