Haxhiu: 99 gra të vrara që nga pas lufta, me urgjencë duhet të veprojmë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se nga viti 1999 në Kosovë janë vrarë 99 gra nga burrat ose partnerët e tyre.
“Unë bëj thirrje edhe sot që me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhë që po përdoret në rrjete sociale, sepse është nxitëse që të vazhdojnë me akte kriminale të ngjashme, të njëjta apo të përafërta. Ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jemi spektatorë sepse rezultatet e gjuhës së urrejtjes e dimë se ku na dërgojnë, prandaj me urgjencë duhet të veprojmë duke promovuar tolerancë e respekt përmes mediave, kulturës, artit, politikes, shkollave e universiteteve e nga çdo sferë tjetër”, tha ajo.
Haxhiu: Shteti po i shndërron dhunuesit në vrasës, “femicidin” do ta bëjmë vepër të veçantë penale
Në konferencë për media pas takimit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për shkak të rritjes së numri të vrasjeve të grave në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e dhunës në familje t’i trajtojnë me prioritet.
“Institucionet e drejtësisë të veprojnë brenda kompetencave dhe mekanizmave që kanë në dispozicion, duke mos neglizhuar as edhe një rast të vetëm të dhunës në familje. Kur po kemi raste të neglizhencave, të mosveprimeve, shteti vetë po e shndërron dhunuesin në vrasës”, ka thënë ajo në konferencë.
Në takim ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, Haxhiu ka bërë të ditur se janë kërkuar që për një sërë çështjesh të merren veprime urgjente.
Haxhiu ka paralajmëruar se “femicidin” do ta bëjnë vepër të veçantë penale.