Asani për Artan Grubin: Pak rëndësi ka lista e zezë, qytetarët kërkojnë përgjigje për 8 milionë eurot dhe kazinot

1 Min. Leximi

Aktivisti i sektorit civil Jasir Asani ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit për largimin e mundshëm të Artan Grubit nga lista e zezë amerikane, duke vlerësuar se kjo temë po përdoret për të larguar vëmendjen nga çështje më të rëndësishme për qytetarët.

Sipas Asanit, përfshirja ose largimi nga lista e zezë amerikane nuk bëhet sipas dëshirës së individëve, por bazohet në veprime konkrete që lidhen me korrupsionin, nepotizmin, politikat antidemokratike dhe dëmtimin e interesave amerikane.

Ai thekson se fokusi i opinionit publik duhet të jetë tek përgjegjësia për, siç shprehet, zhdukjen e rreth 8 milionë eurove nga taksat e qytetarëve dhe lejimin e përhapjes së kazinove pranë vendbanimeve.

“As pak rëndësi nuk ka nëse Artan Grubi është apo jo në listën e zezë. Ajo që ka rëndësi për qytetarët është fakti se nga taksat tona janë zhdukur rreth 8 milionë euro dhe se kazinot na i kanë sjellë deri në oborret tona”, ka shkruar Asani.

Në reagimin e tij, ai kritikon edhe opozitën, duke e cilësuar debatin për këtë çështje si të shkëputur nga problemet reale me të cilat përballen qytetarët.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull