Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Türkiye, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu.
Siç ka bërë të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale, presidentja Osmani ka uruar gjatë bisedës presidentin Erdoğan për ditëlindjen e tij të 70-të.
Po ashtu, presidentja Osmani ka bërë të ditur se me presidentin Erdoğan kanë biseduar për marrëdhëniet Kosovë-Türkiye, si dhe për Forumin e Diplomacisë në Antalya.
“Është kënaqësi të përshëndesim Presidentin Recep Tayyip Erdoğan për ditëlindjen gjatë telefonatës sonë sot, shoqëruar me urime të përzemërta për mirëqenie të vazhdueshme. Ne diskutuam gjithashtu për marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë-Türkiye dhe forumin e ardhshëm të diplomacisë në Antalya. Jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme të Türkiyes”, shkroi Osmani.
Forumi i Diplomacisë në Antalya, i cili do të mbahet nën patronazhin e presidentit Erdoğan në datat 1-3 mars, do të presë mbi 20 liderë që do të diskutojnë për “Përparimin e diplomacisë në kohë trazirash”.