Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj dy punonjësve të Higjienës Komunale në Shkup, që ka ndodhur në orët e para pas mesnatës, pas përfundimit të aktiviteteve festive.
Sipas Isenit, të sulmuarit kanë deklaruar se personat që i kanë sulmuar janë prezantuar si “Komitë”. Ai ka bërë të ditur se ekzistojnë dyshime serioze se sulmi mund të ketë motive etnike, ndërsa ka theksuar se rasti do të hetohet deri në zbardhjen e plotë dhe se autorët do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
“DHUNUESIT DO TË IDENTIFIKOHEN DHE DO TË PËRBALLEN ME LIGJIN!
Pas përfundimit të aktiviteteve festive, në orët e para pas mesnatës, në Shkup është regjistruar një rast i izoluar i dhunës fizike ndaj dy punonjësve të Higjienës Komunale.
Sipas deklarimeve të të sulmuarve, personat që i kanë sulmuar janë prezantuar si “Komitë”. Ekzistojnë dyshime serioze se sulmi mund të ketë motive etnike, rrethana këto që do të trajtohen me prioritet dhe do të hetohen deri në zbardhjen e plotë të rastit.
Është e papranueshme që qytetarët, të cilët kryejnë punën e tyre, të bëhen cak i dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Rasti fillimisht nuk ishte raportuar në polici. As nga institucioni shëndetësor ku kanë kërkuar ndihmë të lënduarit nuk është përcjellë njoftim në polici. Pas paraqitjes së rastit nga vetë viktimat në Stacionin Policor “Karposh”, SPB Shkup dhe Stacioni Policor “Karposh” kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa janë siguruar edhe dëshmitarë të ngjarjes, të cilët do të kontribuojnë në zbardhjen e plotë të saj.
Dua të jem i qartë: ky rast nuk do të mbetet pa epilog!
Të gjitha kapacitetet e nevojshme policore dhe hetimore do të angazhohen për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Çdo person që rezulton të ketë marrë pjesë në këtë sulm do të mbajë përgjegjësi para ligjit.
Nuk do të ketë tolerancë për dhunën me motive etnike. Nuk do të ketë amnisti për dhunuesit dhe nuk do të lejojmë që frika të bëhet pjesë e përditshmërisë së qytetarëve që vetëm duan të punojnë dhe të jetojnë të qetë.
Ligji do të veprojë. Dhunuesit do të identifikohen dhe do të ndëshkohen!”, ka shkruar Astrit Iseni.

